Tregtia me Gjermaninë bie edhe poshtë niveleve të vitit pandemik 2020

Publikuar më: 3/11/2022, ora 16:27

Tregtia me Gjermaninë bie edhe poshtë niveleve të vitit pandemik 2020

Publikuar më: 3/11/2022, ora 16:27

Tregtia me Gjermaninë po rrudhet. Shqipëria po merr më pak mallra nga ekonomia më e fortë e Europës. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun e muajve janar-shtator u importuan rreth 96 mijë tonë mallra nga Gjermania shifër kjo ndjeshëm më e ulët se një vit më parë e madje edhe 2020-s, vit i cili u karakterizua nga bllokada në kufij si pasojë e pandemisë Covid-19.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se importet në këto nëntë muaj u përqendruan te makineritë, pajisjet e pjesët e këmbimit, ushqimet, produktet kimike, plastike, ato të drurit e letrës.

Në proces tkurrje janë edhe eksportet e mallrave shqiptarë drejt Gjermanisë që sipas INSTAT në harkun e muajve janar-shtator ranë në 18 mijë tonë nga më shumë se 20 mijë tonë vitin e shkuar.

Drejt Gjermanisë u eksportuan kryesisht te ushqimet, pijet, duhani, lëndët minerare e ato djegëse, materialet e ndërtimit si dhe tekstilet apo këpucët.

E teksa shkëmbimet tregtare mes dy vendeve po tkurren, hendeku në deficitin tregtar, pra raporti mes eksporteve dhe importeve po vijon të thellohet.