“Horrori” vetëm 3,6 kilometra nga qendra e Tiranës, detaje nga arrestimi i radikalit që ngujoi gruan dhe fëmijët

Publikuar më: 6/11/2022, ora 19:11

“Horrori” vetëm 3,6 kilometra nga qendra e Tiranës, detaje nga arrestimi i radikalit që ngujoi gruan dhe fëmijët

Publikuar më: 6/11/2022, ora 19:11

Vetëm 3,6 kilometra larg qendrës së Tiranës, në zonën e “5 Majit”, për 6 vite me radhë, një bashkëshorte, nënë e dy fëmijëve, është mbajtur e ngujuar në banesë nga bashkëshorti i saj, nën dhunë sistematike dhe kërcënimin e thikave.

Në shtëpinë e familjes Laçi, ngjitur me rrënojat e shtëpive të prishura nga IKMT te “5 Maji”, bashkë me gruan, vitin e fundit janë mbajtur të izoluar nga bota e jashtme edhe dy fëmijët e çiftit, të moshave 15 dhe 17 vjeç.

Policia njoftoi të dielën arrestimin e kryefamiljarit, 52-vjeçarit Xherxh Laçi. Ai u prangos nga agjentët e drejtorisë së Anti-terrorit dhe të Komisariatit nr. 4, të cilët ishin sinjalizuar për atë që po ndodhte.

Pas arrestimit, atij iu sekuestruan dy thika, një mjet tjetër prerës dhe disa shkopinj, mjete me të cilat mbante nën kërcënim dhe terror psikologjik anëtarët e familjes. Ndërsa pas kontrolleve të ambienteve përreth banesës, në oborr, u gjetën dhe sekuestruan 700 fishekë luftarak dhe krëhra automatiku.

Sipas dyshimeve të para, Laçi i mbante të ngujuar familjarët për shkak të bindjeve të tij radikale. Referuar deklarimeve të bashkëshortes së tij, fillimisht ai ka kyçur brenda 4 mureve gruan, e më pas ka penguar edhe fëmijët, të cilët nuk i ka lejuar të shkojnë në shkollë.

Sipas saj, fëmijët i ndalonte të dilnin duke iu thënë se “do të infektoheshin”. Në 6 muajt e fundit, ai ka kufizuar edhe daljet e tij, duke dalë nga shtëpia vetëm të premten për faljen e xhumasë. Familja Laçi ka jetuar në kufijtë e mjerimit, me tre të ngujuar dhe kryefamiljarin të papunë, pa energji elektrike dhe pa ujë të pijshëm, pa televizor dhe pa mjete komunikimi.

Izolimi nuk kufizohej vetëm me mbylljen e derës, por edhe uljen e grilave e deri te perdet në verandë, për të mos u lejuar as të shihnin çfarë ndodhte jashtë shtëpisë së tyre. Sipas burimeve policore, pas arrestimit të 52-vjeçarit bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij janë vendosur nën kujdes psikologjik në një nga qendrat viktimave të dhunës në Tiranë.