Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

U ekstradua pa procedurë, policia ia dorëzoi policisë greke qytetarin nga Vlora

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2022, 13:58 | Kronikë
U ekstradua pa procedurë, policia ia dorëzoi policisë greke

Ky është momenti i dorëzimit të shtetasit shqiptar Spartak Dyrmishi tek autoritetet policore greke mbrëmjen e 31 tetorit të këtij viti.

Sipas njoftimit të policisë shqiptare, 45-vjeçari kërkohej nga policia greke për akuzën e përdhunimit. Por përtej akuzës që rëndon mbi të, mënyra e ekstradimit të tij, duke anashkaluar procedurat e përcaktuara në kodin e procedurës penale, por edhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ka ngritur dyshime serioze mbi zbatimin e ligjit nga policia shqiptare për këtë rast.

Edhe pse në njoftimin zyrtar të policisë thuhej se 45-vjeçari kishte shprehur vetë dëshirën për t’iu dorëzuar policisë greke, sërish shmangia e procedurave ligjore për ekstradimet dhe aq më tepër me një shtet si Greqia me të cilën Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi, nuk justifikon veprimet e policisë shqiptare për të plotësuar dëshirën e të akuzuarit.

A2 ka komunikuar fillimisht me vëllanë e të ekstraduarit, i cili pranon se Spartak Dyrmishi është vetëdorëzuar në policinë e Vlorës, por jo për t’u ekstraduar në Greqi, por për t’u hetuar dhe gjykuar në Vlorë

Edhe vetë i ekstraduari gjatë një komunikimi telefonik me reporteren e A2 CNN ka konfirmuar se është vetëdorëzuar tek policia shqiptare dhe jo për t’u ekstraduar në Greqi.

“Më thanë nuk të çojmë në Greqi. Më morën në komisariat se çfarë letrash bënë nuk e dinë dhe më parë më thanë hip në makinë dhe u thashë nuk është Tirana këtu o zotërinj. Më çuan në Kakavijë dhe u thashë përse më dorëzuat, do më vdesin si qen”, rrëfen i akuzuari.

Por çfarë parashikon legjislacioni shqiptar për ekstradimet e shtetasve shqiptarë dhe nga ana juridike dhe si mund të cilësohen veprimet e policisë shqiptare për këtë rast.

“Nga ana e shtetit grek, mbi dyshime të arsyeshme duhet t’i bëjë kërkesë Ministrisë së Drejtësisë. Ajo me materialin plotësues, kur krijon bindjen e saj se janë të mjaftueshme, i referon prokurorit dhe është ky që i drejtohet gjykatës për masën shtrënguese. Policia e Shtetit në këtë rast ka kryer një rrëmbim të personit’, shprehet avokati Armand Cakrani.

Veprimet e dyshimta të policisë shqiptare i konfirmon edhe fakti që prokuroria e Vlorës nuk ka asnjë kërkesë nga Ministria e Drejtësisë shqiptare për nisjen e procedurave hetimore ndaj Spartak Dyrmishit.

Ndërkohë prej 6 ditësh, Policia e Vlorës nuk ka kthyer asnjë përgjigje në lidhje me kërkesën e A2 CNN për t’u njohur me bazën ligjore dhe procedurën e ndjekur për ekstradimin e shtetasit Spartak Dyrmishi. E ndërsa ky i fundit tashmë është në duart e policisë greke, në Shqipëri as Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore dhe as prokuroria e Vlorës nuk ka nisur ndonjë verifikim për këtë rast të paprecedentë.

https://a2news.com/2022/11/01/akuzohet-per-perdhunim-ne-greqi-arrestohet-ne-vlore/

A2 CNN Livestream

Dita jonë