“Destabilizimi vjen nga Serbia”, Kurti: Vuçiç koordinohet me Rusinë dhe Kinën

Publikuar më: 7/11/2022, ora 19:00

“Destabilizimi vjen nga Serbia”, Kurti: Vuçiç koordinohet me Rusinë dhe Kinën

Publikuar më: 7/11/2022, ora 19:00

“Vigjilent gjithmonë, të brengosur shpeshherë, të frikësuar asnjëherë!”. Kryeministri Albin Kurti adreson kështu tensionet e larta në veri të Kosovës, pas largimit të serbëve nga institucionet. Për krizën e krijuar, fajëson Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiç, duke thënë se për to konsultohet me Rusinë dhe Kinën dhe se mashtron Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

“Çfarë po ndodh tani shpjegohet më së shumti me përpjekjen e Beogradit për ta ambalazhuar kundërshtimin e nismës frankogjermane. Nuk bëhet fjalë as për tabela të automjeteve, as për Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, as për suspendimin e Nenad Gjuriçit”.

Sipas Kurtit, ai që pretendon se po i mbron, ai po i dëmton serbët në Kosovë. “Serbët në Kosovë janë të sulmuar nga Beogradi që ia djegë veturat dhe shtëpitë. Asnjë serbë nuk dyshon se djegia është bërë nga shqiptarët.”

Kurti foli dhe për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi refuzoi këshillën për shtyrjen e vendimit për targat.

“A do ta dëgjoni ju Amerikën? A po prishemi me Amerikën? Nuk ndodhin këto gjera. Nuk jemi ne në këtë lloj raporti me SHBA siç I përshkruani ju: si nipi me gjyshin”.

I pranishëm në konferencë dhe ministri I brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili njoftoi se deri tani janë dorëhequr rreth 600 policë, të gjithë pjesëtarë të komunitetit serb. Atyre u janë bashkuar dhjetëra funksionarë të tjerë në qeverisjen lokale dhe gjyqësor. Ndërsa të gjithë deputetët e Listës Serbe dorëzuan mandatet e tyre në kuvend, pas një proteste në Veri të Kosovës kundër vendimit për ndërrimin e targave dhe pezullimin e shefit të policisë që refuzoi ta zbatonte atë.