“Kjo s’ka të bëjë me targat”, Kurti: Vuçiç takohet me Rusinë e Kinën dhe gënjen SHBA e BE

Publikuar më: 7/11/2022, ora 16:01
SINK KURTI SERBET frame 760 1280x720

“Kjo s’ka të bëjë me targat”, Kurti: Vuçiç takohet me Rusinë e Kinën dhe gënjen SHBA e BE

Publikuar më: 7/11/2022, ora 16:01

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se tensionimi në veri të Kosovës nuk ka të bëjë me pezullimin e shefit të policisë apo zbatimin e ligjit të targave, por me refuzimin e Serbisë për të pranuar propozimin franko-gjerman për një marrëveshje me Kosovën.

“Ditëve të fundit janë intenstifikuar kërcënimet e përpjekjet e Serbisë e të Presidentit të fqinjit tonë verior për destabilizimin e situatës në vendin tonë. Këto kërcënime janë të orientuara në radhë të parë për të përhapur panik ndaj qytetarëve tanë”, tha Kurti në një konferencë për mediat.

“Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë së Serbisë të shtunën, Presidenti serb pati takime të ndara me ambasadorin e Rusisë dhe Kinës. Kjo tregon qartë që Presidenti i Serbisë takohet me Rusinë e Kinën, ndërsa gënjen e zhgënjen Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Prandaj edhe çfarë po ndodh tani shpjegohet më së shumti me përpjekjen e Beogradit për të ambalazhuar kundërshtimin e nismës franko-gjermane. Nuk bëhet fjalë as për tabela të automjeteve, as për asociacion, as për pezullimin e Gjuriçit, bëhet fjalë vetëm për refuzimit që ata i kanë bërë propozimit të Parisit dhe Berlinit”.

Më 5 nëntor, Lista Serbe ka bërë të ditur se zyrtarët serbë do të largohen nga institucionet qendrore dhe ato lokale të Republikës së Kosovës. Gjatë ditës së sotme mandatet e tyre i dorëzuan edhe 10 deputetët e Listës Serbe. Këto veprime kanë ardhur pasi autoritetet e Kosovës kanë pezulluar drejtorin e Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriç, i cili refuzoi të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.

Bashkimi Europian bëri thirrje që palët të ulin tensionet dhe t’i rikthehen dialogut. Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, paralajmëroi se tensionet mund të përhapen përtej Kosovës në të gjithë rajonin. “Sa herë që ka një destabilitet lokal, destabiliteti lokal eksportohet dhe ka pasoja dhe implikime edhe në rajonin e gjerë. Ne e shohim në rastin e Rusisë dhe Ukrainës. Ka një sulm brutal ilegal ushtarak nga një vend kundër një vendi tjetër, dhe pasojat nuk kufizohen vetëm në këto dy vende, pasojat po prekin e gjithë botën. Pra, nëse kemi një pikë tjetër të ndezjes në tokën evropiane, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse nëse përshkallëzimi vazhdon, askush nuk mund të parandalojë një shpërthim të një incidenti fatkeq që mund të çojë në dhunë”, tha Stano në një konferencë për mediat.