Konjufca: Serbia kërkon të marrë Veriun, nuk do ta lejojmë

Publikuar më: 7/11/2022, ora 15:34

Konjufca: Serbia kërkon të marrë Veriun, nuk do ta lejojmë

Publikuar më: 7/11/2022, ora 15:34

Kryetari i kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nuk mendon se dorëheqja e dhjetë deputetëve të Listës Serbe do të sjellë krizë kushtetuese në vend. Ai tha se do të ndjekë procedurat e parashikuara me ligj në mënyrë që ata të zëvendësohen me persona nga lista e subjektit të njëjtë. “Nuk dua të mendoj që Aleksandar Vuçiç mund ta dërgojë në zgjedhje Republikën e Kosovës kur të dojë. Serbia ka në plan që ta shkëpusë Veriun nga Kosova, por nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”, tha ai.

Gjithashtu, Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, i intervistuar nga KosovaPress thotë se sipas kushtetutës mandatet duhet të zëvendësohen me deputetë të së njëjtës parti, varësisht nga numri i votave që kanë marrë në zgjedhjet e fundit. “Në bazë të asaj që përcakton kushtetuta, ligjit mbi zgjedhjet, këto mandate mund të zëvendësohen me deputetë të së njëjtës parti, pavarësisht nga numri i votave që kanë marrë në zgjedhjet e fundit”, tha ai.

Miftaraj thotë se veprimet e Listës Serbe janë drejtuara nga Beogradi zyrtar ndërsa shton se Bashkimi Evropian duhet të reagojë ashpër ndaj sjelljeve të tilla. “Po flasim për një veprim politik të Listës Serbe, fatkeqësisht të dirigjuar nga vetë Beogradi dhe Vuçiç. Nuk po shohim ndonjë reagim të përshtatshëm nga ana e Bashkimit Evropian, veçanërisht i dërguari i posaçëm për dialogun, i cili duhej të ishte shumë i ashpër në reagim ndaj Beogradit dhe Listës Serbe”.

Miftaraj thotë se janë tejet shqetësuese dorëheqjet nga ana e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve serbë, të cilat sipas tij, nëse formalizohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ai Prokurorial, do të nënkuptonte minim të asaj që është ndërtuar nga marrëveshjet e Brukselit nga viti 2013.