Nga pesimizëm në demoralizim, bie sërish besimi qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë në ekonomi

Publikuar më: 7/11/2022, ora 16:55

Nga pesimizëm në demoralizim, bie sërish besimi qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë në ekonomi

Publikuar më: 7/11/2022, ora 16:55

Me dimrin në prag e krizën e çmimeve që ende nuk ka prekur kulmin nëpër këmbë, qytetarët dhe bizneset në vend po kalojnë nga pesimizmi në demoralizim. Bazuar në vrojtimin e përmuajshëm të Bankës së Shqipërisë në tetor, për të katërtin muaj me radhë, besimi në ekonomi ra edhe më tej me mbi 2 pikë.

Tkurrja e konsumit nga njëra anë dhe energjia e karburantet më të shtrenjta nga tjetra, rrëzuan me 2.6 pikë të tjera besimin në tregti.

Për shkaqe të ngjashme, shtuar edhe pritshmëritë jo fort pozitive nga paketa fiskale për vitin e ardhshëm edhe besimi në industri ra sërish në tetor duke arritur në minus 6.5 pikë.

Teksa deri pak muajsh më parë po cilësohej si sektori që “nuk njeh krizë” edhe në ndërtim po thellohet pesimizmi që po vjen kryesisht nga shtrenjtim i lëndëve të para dhe rënia e kërkesës për apartamente.

Vetëm për tetorin, rënia e besimit në këtë sektori ra me 7.2 pikë, duke regjistruar kështu pakësim të treguesit për të dytin muaj me radhë.

Tepër larg mesatares afatgjatë, besimi konsumator u përmirësua lehtë në tetor, duke u rritur me 0.6 pikë sipas Treguesit të Ndjesisë Ekonomike.

Rënia e besimit në ekonomi, tregues i stepjes së njerëzve për të shpenzuar rrezikon ta fusë ekonominë në një cikël rënës, duke shkaktuar një reaksion zinxhir negativ që përfshin xhepat e qytetarëve, portofolet e sipërmarrjeve e arkën e shtetit.