Tensionet në Kosovë, Rama: Dialog i palodhur me Serbinë, për të mos humbur edhe aleatët!

Publikuar më: 7/11/2022, ora 16:35
Albin Kurti Edi Rama 1024x576

Tensionet në Kosovë, Rama: Dialog i palodhur me Serbinë, për të mos humbur edhe aleatët!

Publikuar më: 7/11/2022, ora 16:35

Kryeministri Edi Rama reagoi në Twitter në lidhje me situatën e tensionuar në Kosovë. “Po e ndjekim me vëmendje të madhe e shqetësim të vërtetë situatën e acaruar në Kosovë dhe bashkohemi me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë SHBA & BE. Ndërkohë që mbështesim plotësisht idenë themelore të Planit Franko-Gjerman bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog Kosovë-Serbi”, shkroi Rama.

Ai shtoi se “autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe unë e mirëkuptoj këtë! Por i mirëkuptoj edhe aleatët kur e kërkojnë këtë me “forcë”! Prandaj duhet kërkuar një dialog i palodhur me Serbinë për të mos humbur edhe aleatët!”.

Bashkimi Europian bëri thirrje sërish gjatë të hënës që Kosova të nisë menjëherë punën për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe. Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, paralajmëroi se tensionet mund të përhapen përtej Kosovës në të gjithë rajonin. “Sa herë që ka një destabilitet lokal, destabiliteti lokal eksportohet, dhe ka pasoja dhe implikime edhe në rajonin e gjerë. Ne e shohim në rastin e Rusisë dhe Ukrainës. Ka një sulm brutal ilegal ushtarak nga një vend kundër një vendi tjetër, dhe pasojat nuk kufizohen vetëm në këto dy vende, pasojat po prekin e gjithë botën. Pra, nëse kemi një pikë tjetër të ndezjes në tokën evropiane, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse nëse përshkallëzimi vazhdon, askush nuk mund të parandalojë një shpërthim të një incidenti fatkeq që mund të çojë në dhunë”, tha Stano në një konferencë për mediat.

Më 5 nëntor Lista Serbe ka bërë të ditur se zyrtarët serbë do të largohen nga institucionet qendrore dhe ato lokale të Republikës së Kosovës. Gjatë ditës së sotme mandatet e tyre i dorëzuan edhe 10 deputetët e Listës Serbe. Këto veprime kanë ardhur pasi autoritetet e Kosovës kanë pezulluar drejtorin e Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriç, i cili refuzoi të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.