BE-ja vlerëson se gjykimi i Kushtetueses nuk e pengon “Asociacionin”

Publikuar më: 9/11/2022, ora 12:30

BE-ja vlerëson se gjykimi i Kushtetueses nuk e pengon “Asociacionin”

Publikuar më: 9/11/2022, ora 12:30

Peter Stano, zëdhënësi kryesues i BE-së për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, duke iu përgjigjur pyetjeve të A2 CNN, tha se gjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk e pengon themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Gjithashtu, Stano risolli në vëmendje detyrimin e Kosovës për ta themeluar këtë Asociacion, sipas marrëveshjes që ajo ka nënshkruar me Serbinë në Bruksel. “Kosova hyri në një marrëveshje për të themeluar Asociacionin/Bashkësinë e Komunave Serbe. Kjo marrëveshje u përmbyll në mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Ajo [marrëveshja] nuk është tërhequr nga tavolina”, tha Stano në një përgjigje me e-mail.

Peter Stano, zëdhënësi kryesues i BE-së për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë. Foto: Komisioni Europian.

Zëdhënësi i BE-së shpjegon se marrëveshja e vitit 2013, u ratifikua nga Parlamenti i Kosovës me një shumicë të cilësuar prej 2/3, dhe kësisoj, Kosova ndërmori një obligim ndërkombëtar për ta zbatuar atë.

Ndaj pyetjes së A2 CNN, nëse Komisioni Europian e pranon gjykimin e dhjetorit 2015 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sipas të cilit, mbi 20 pika të marrëveshjes nuk janë në pajtim me kushtetutën e vendit, Stano vërejti se ky vëzhgim nuk është i saktë.

“Gjykimi i vitit 2015 i Gjykatës Kushtetuese mbi Asociacionin/Bashkësinë keqinterpretohet në mënyrë të rregullt. Gjykata nuk tha kurrë që Asociacioni/Bashkësia nuk duhet themeluar. Ndaj ne presim që Kosova të respektojë zotimet që ka marrë përsipër në Dialog”, theksoi ai.

Gjatë një konference për shtyp, këtë të hënë, Peter Stano vuri në dukje se ekziston një obligim ligjor i detyrueshëm për Kosovën, që ajo të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. “Moszbatimi i vazhdueshëm i këtij obligimi cenon jo vetëm parimin e sundimit të ligjit në Kosovë, por edhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, tha Stano.

Ky qortim vjen në një kohë kur BE-ja i druhet një përshkallëzimi të situatës në Kosovë, teksa lufta në Ukrainë është në muajin e saj të nëntë. “Për momentin, prioritet është de-eskalimi i situatës në terren. Gjatë ditëve të fundit, kemi parë përshkallëzim shumë të rrezikshëm dhe zhvillime të cilat po vënë në rrezik vite të tëra pune të palodhur dhe arritjesh. Kjo ka pasoja jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin”, tha Stano.

Kërkesat e vazhdueshme nga Bashkimi Europian për themelimin e Asociacionit, krahas kritikave për vonesën e Kosovës në përmbushjen e marrëveshjes në fjalë, janë intensifikuar gjatë muajve të fundit, kohë kur tensionet mes Serbisë dhe Kosovës janë ndoshta në pikën më të lartë gjatë dekadës së fundit. Ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja kërkuan nga Kryeministri Albin Kurti një shtyrje të dytë prej 10 muajsh të afatit për zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve serbe në Kosovë – diçka që nuk u pranua – krijimi i Asociacionit është tema tjetër, më afatgjatë e presionit nga bashkësia ndërkombëtare.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Nuk ekziston një formulim gjerësisht i pranuar se në çfarë konsiston Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe. Interpretimet zyrtare dallojnë jo vetëm mes dy shteteve të përfshira, por edhe ndërmjet institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare.

Për shembull, sipas Wikipedia-s, bëhet fjalë për një shoqatë vetëqeverisëse të 10 komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural. Ky interpretim haset edhe në raportime të mediave lokale dhe ndërkombëtare.

Marrëveshja për Asociacionin njohu dy faza aprovimi. Fillimisht, në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen e parë drejt normalizimit të marrëdhënieve, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Pjesë qendrore e  procesit të “normalizimit” ishte krijimi i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

Marrëveshja e dytë, përmbyllëse u nënshkrua në gusht 2015, krahas tre marrëveshjeve të tjera të rëndësishme, për telekomunikacionin, energjinë dhe lirimin e qarkullimit të urës mbi Lumin Ibër në Mitrovicë, e cila deri në atë kohë mbahej e bllokuar nga një strukturë serbësh lokalë të vetëquajtur “Rojet e Urës”.

Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

Marrëveshja e parë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe u nënshkrua kur kryeministër i vendit ishte Hashim Thaçi. Raundi i dytë i saj mban firmën e Isa Mustafës, i cili pasoi Thaçin në krye të qeverisë së Kosovës.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive”, tha Kryeministri Mustafa në vitin 2015. Thaçi, i cili në atë kohë ishte bërë Ministër i Jashtëm në qeverinë e koalicionit LDK-PDK, siguroi që marrëveshjet ishin “në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.

Por pavarësisht zotimeve të tilla, në tetor të vitit 2015, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e nënshkruar vetëm pak muaj më parë. Zyra e Jahjagës tha se Presidentja kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të “interpretojë përputhshmërinë e parimeve për themelimin e Asociacionit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Jahjaga e mori këtë hap pas një procesi përfshirës, i cili konsistoi në takime me udhëheqësit e të gjitha partive politike parlamentare, të institucioneve të vendit dhe me shoqërinë civile. Qëllimi ishte dalja nga kriza politike dhe nga bllokimi i punës së Kuvendit nga opozita e kryesuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila kundërshtonte me forcë disa prej marrëveshjeve të Brukselit. Asociacioni qëndronte në qendër të këtyre kundërshtive, të materializuara deri në hedhjen e vazhdueshme të gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, çka pamundësoi zhvillimet parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje, aktualisht në pushtet, pretendon edhe sot që Asociacioni do të krijonte një shtet të Serbisë brenda shtetit të Kosovës, duke shkaktuar kështu “bosnjëzimin” e vendit, duke përdorur një referencë për shtetin e ndarë dhe dysfunksional të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Në gjykimin e Kushtetueses ndaj lëndës së parashtruar nga Presidentja Jahjaga, mund të veçohen dy aspekte kryesore. Së pari, gjykata e hodhi poshtë nocionin e Zyrës së Presidentit, sipas të cilit, Marrëveshja konsiderohej akt ligjor. Së dyti, gjykata identifikoi 23 pika, të cilat nuk ishin në përputhje me kushtetutën, apo që ngrinin shqetësime mbi pajtueshmërinë e tyre me kushtetutën.

Këto aspekte janë shtjelluar detajisht në një analizë të ekspertit Bodo Weber, titulluar “Zhonglim i Ngathët: Pasiguri kushtetuese, jostabilitet politik dhe sundimi i rrezikuar i ligjit në dialogun Kosovë-Serbi”. Në këtë punim të vitit 2016, Weber vlerëson edhe që gjykimi i Gjykatës Kushtetuese lë hapësira për paqartësi, si dhe nuk u përgjigjet disa prej pyetjeve themelore mbi natyrën e Asociacionit.

“Kushtetuta nuk është Bibël”

Në tetor të vitit 2020, duke adresuar argumentimin e palës kosovare mbi papajtueshmërinë kushtetuese të Marrëveshjes së Asociacionit, Miroslav Lajçak, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, vlerësoi që ky shqetësim ishte i tejkalueshëm. “Kushtetuta nuk është Bibël”, vërejti ai. Gjatë komenteve që ai bëri gjatë një udhëtimi pune në Serbi, Lajçak tha se rënia dakord e palëve mbi këtë çështje duhej “reflektuar edhe në kushtetutë”.

Vjosa Osmani, atëherë Kryetare e Kuvendit të Kosovës, reagoi ashpër pas deklaratës së emisarit të BE-së. Ajo pretendoi se mes të tjerash, Lajçak kishte shtrembëruar një qëndrim që ajo e kishte ndarë me këtë të fundit, rreth gjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi Marrëveshjen e Asociacionit.

Miroslav Lajçak, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo që ka deklaruar [Lajçak] në Serbi nuk është aspak e vërtetë. Si kryetare e Kuvendit, asnjë moment nuk kam thënë në takim që Asociacioni të themelohet në përputhje me marrëveshjen e vitit 2015, por kam thënë të kundërtën, që duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha Osmani për mediat në Prishtinë.

Ndërsa historiku i dokumentuar i qëndrimeve të Bashkimit Europian mbi këtë marrëveshje nuk e merr parasysh gjykimin e Kushtetueses si pengesë për themelimin e Asociacionit, apo edhe priret të sugjerojë ndryshimin e vetë Kushtetutës së Kosovës për të njëjtin qëllim, Shtetet e Bashkuara kanë shprehur një qëndrim alternativ.

Në prill të këtij viti, i Dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos e rrezikojë integritetin shtetëror të vendit.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, tha Escobar.

Ky qëndrim rezonon me pozicionin e palëkundur të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili mbron idenë se përgjigjen për marrëveshjen ekzistuese për Asociacionin e ka dhënë tashmë Gjykata Kushtetuese.  “Besoj që duhet ta kemi parasysh se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese… por gjithashtu edhe interesi publik i yni, nuk e imponon me domosdoshmërinë destabilizuese të Beogradit temën e këtillë në Kosovë”, tha ai më 31 korrik të këtij viti.

Albin Kurti, pas një takimi me përfaqësues të opozitës. Prishtinë, 8 nëntor 2022. Foto: KosovaPress.

Këtë koment Kurti e bëri gjatë një konference për shtyp gjatë tensioneve me Serbinë dhe teksa ato që Prishtina i konsideron si “struktura paralele të Beogradit” bllokuan disa rrugë kryesore në veri të vendit, si dhe pati raportime për të shtëna me armë zjarri në drejtim të Policisë së Kosovës.

Arsyeja ishte vendosja e reciprocitetit nga qeveria e Kosovës mbi dokumentet e udhëtimit dhe targat e automjeteve, pas skadimit të marrëveshjeve të mëparshme të arritura me ndërmjetësimin e Brukselit.

Një mbivendosje prioritetesh

Sot, Kurti dhe qeveria e tij përballen me një krizë më të madhe dhe të paprecedentë. Këmbëngulja për të mos shtyrë afatin e zëvendësimit të targave ilegale të automjeteve serbe në Kosovë, ka rezultuar në dorëheqjen masive të deputetëve, ministrave, kryetarëve të komunave, oficerëve të policisë dhe pjesës dërrmuese të zyrtarëve të tjerë të pakicës serbe nga institucionet shtetërore të Kosovës. Ka pasur edhe raportime në media se disa prej këtyre zyrtarëve janë kërcënuar që të japin dorëheqjen, ashtu sikurse ka raste të konfirmuara të qytetarëve të së njëjtës etni që pasi ndërruan targat e vjetra me ato zyrtare, iu dogjën veturat.

Kryeministri i Kosovës thotë se këto incidente në veri po i shkakton Serbia, për shkak se është kundër të ashtuquajturit “Plan Franko-Gjerman” për marrëveshjen përfundimtare mes dy vendeve. Ai arsyeton se incidentet nuk lidhen me targat, as me Asociacionin dhe as me shkarkimin e një drejtori të policisë së veri të Kosovës.

Për të justifikuar qëndrimet e tij, të cilat shkojnë kundër thirrjeve ndërkombëtare për kompromis, Kurti këmbëngul për parimin e sundimit të ligjit – diçka që vetë BE-ja e ka ndër shtyllat themelore në marrëdhëniet e saj me Kosovën. Por realiteti në terren nuk po u bindet parimeve të tilla.

Forca të shtuara policie në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Foto: KosovaPress.

Në fakt, aleatët perëndimorë të vendit nuk e kanë mohuar meritën e argumenti ligjor të vendimeve të qeverisë Kurti. Por në përgjigje të këtyre të fundit, dhe pavarësisht aspiratës formale për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, Serbia ka grumbulluar forca ushtarake në kufi me Kosovën, po këshillohet haptazi me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës për situatën, dhe po kryen stërvitje me armatimet e blera nga këto dy vende.

Përballë kësaj krize me potencial përshkallëzimi, është bërë gjithnjë e më këmbëngulëse edhe kërkesa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, qoftë nga Bashkimi Europian, ashtu edhe nga Presidenti i Serbisë.

Në muajin gusht, Aleksandër Vuçiç i hodhi poshtë argumentet kushtetuese të palës kosovare, teksa vuri në dukje se Asociacioni nuk mund të jetë një organizatë joqeveritare: “Pse na intereson çfarë shkruhet në kushtetutën e tyre, të cilën ne nuk e njohim?”.