E fejuar me një shtrigan, princesha e Norvegjisë heq dorë nga detyrat mbretërore për t’u përkushtuar te mjekësia alternative

Publikuar më: 9/11/2022, ora 11:31

E fejuar me një shtrigan, princesha e Norvegjisë heq dorë nga detyrat mbretërore për t’u përkushtuar te mjekësia alternative

Publikuar më: 9/11/2022, ora 11:31

Princesha e Norvegjisë, Märtha Louise, ka hequr dorë nga detyrat mbretërore për t’u përqendruar te biznesi i mjekësisë alternative që drejton bashkë me të fejuarin e saj, të vetëshpallur shtrigan. Princesha do të mbajë titullin e saj, por nuk do të kryejë më asnjë angazhim mbretëror, për të ndarë qartë jetën private me publike.

I fejuari i saj, Durek Verrett, është promotor i praktikave mjekësore që nuk janë të bazuara në shkencë, madje ka deklaruar se kanceri është zgjedhje. Amerikani gjithashtu pretendon se ka ndikim tek aktorja Gwyneth Paltrow.

Pallati mbretëror tha në një deklaratë se Mbreti i Norvegjisë, Harald V, ka vendosur që ajo ta mbajë titullin e saj. “I ka kryer detyrat e saj më ngrohtësi dhe përkushtim të thellë”, thuhet në deklaratë. Pavarësisht shpalljes, Mbreti Harald V e përshkroi të fejuarin e vajzës së tij si një “burrë të këndshëm”. “Ai ka shumë humor, qeshim shumë, edhe në këtë kohë të vështirë. Mendoj se të dy kemi kuptuar mjaft mirë se për çfarë bëhet fjalë dhe kemi rënë dakord që të mos biem dakord”, tha mbreti për gazetarët norvegjezë.

Në një deklaratë të veçantë për mediat, Princesha Märtha Louise tha se e kishte të qartë rëndësinë e njohurive të bazuara te studimet shkencore, por shtoi se besonte te mjekësia alternative, “si një shtesë e rëndësishme për të ndihmuar mjekësinë konvencionale”.

51-vjeçarja ka qenë personazh i përfolur prej dekadash në Norvegji, për përfshirjen e saj në kurat alternative, si dhe për hapjen e një shkolle që synonte të ndihmonte njerëzit “për t’u lidhur me engjëjt e tyre”. Ajo është akuzuar se ka përdorur titullin mbretëror për konkurrencë të padrejtë. Në vitin 2002, ajo u martua me shkrimtarin dhe artistin norvegjez, Ari Behn, me të cilin pati tri vajza. Çifti u divorcua në vitin 2017 dhe dy vite më pas, në Krishtlindjet e 2019-s, Behn vrau veten.

Në Norvegji, Verret është akuzuar si “sharlatan”, mashtrues dhe konspiracionist. Ish-kryeministrja e vendit, Erna Solberg i quajti tepër të çuditshme pikëpamjet e tij dhe jo të bazura mbi fakte. Verret, me origjinë afrikano-amerikane thotë se vjen nga një familje ku prej 6 brezash kanë qenë shtriganë dhe dikur ka pretenduar se është ringjallur dhe se ka parashikuar sulmet e 11 shtatorit 2001, dy vite para se të ndodhnin.

Përveç princeshës, mbreti Harald V dhe mbretëresha Sonja kanë edhe një djalë, Haakon Maguns, i cili është edhe trashëgimtari i fronit.