Largimi i serbëve nga institucionet, Kurti: U urdhërua nga ata që nuk e duan ligjin

Publikuar më: 9/11/2022, ora 17:14

Largimi i serbëve nga institucionet, Kurti: U urdhërua nga ata që nuk e duan ligjin

Publikuar më: 9/11/2022, ora 17:14

Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve të mos i bojkotojnë institucionet e Kosovës. Në mbledhjen e qeverisë, kreu I ekzekutivit të Prishtinës tha se serbët në veri nuk i kanë problem vendimet e Qeverisë, sa i përket targave, por “kërcënimet” nga ata që, siç tha ai, e kanë problem ligjin.

“Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Kosovës, janë ata të cilëve ju pengon ligjshmëria e kushtetutshmëria, luftimi i kriminalitetit dhe korrupsionit. Ne jemi qeveri e përgjegjshme e të gjithëve, kundër kriminelë, e përkushtuar për zhvillim, për barazi për të gjithë për respektim të të drejtave të njeriut dhe shërbim të qytetarëve pa dallime diskriminim. Republika e Kosovës është shtet demokratik i popullit të lirë, aleatë e zotuese e paqes, partnere e besueshme e miqve të saj. Bëj thirrje dhe njëherë që të mos bojkotohen të mos braktisen institucionet e Kosovës”, tha ai.

Kurti tha se studimi i ligjit nuk është zgjedhje por detyrim dhe mungesa e tij, është kërcënim për të gjithë. Sipas tij, presionet dhe sulmet ndaj qytetarëve në 4 komunat veriore të Kosovës nga bandat dhe individë kriminalë janë dëshmi e asaj që shkakton mungesa e sundimit të ligjit. “Ne duam sundim të ligjit sepse duhet sundim i ligjit, nuk është zgjedhje është detyrim. Mungesa e tij është kërcënim për të gjithë me këtë kërcënim më së shumti po ballafaqohen bashkëqytetarët tanë në katër komunat veriore. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga banda e individ kriminal janë vetë dëshmia se çka prodhon mungesa e sundimit të ligjit. Problem i tyre nuk janë vendimet tona, e as afatet që parashihen në to. 1012 vërejtje janë lëshuar deri në mëngjes, asnjë incident e asnjë ankesë. Problemet e tyre janë sulmet me bomba, djegiet e veturave dhe shtëpive, trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ata që e kanë problem ligjin”.

Largimi I serbëve nga institucionet e Kosovës erdhi pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, pasi refuzoi zbatimin e vendimit të Qeverisë për regjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia. Deri më tani, disa prej atyre që kanë pranuar të ndryshojnë targat në ato të Republikës së Kosovës, u janë djegur automjetet.