Miratohet mes debateve projektligji për Portin e Durrësit. Alibeaj: Kostoja 2.1 miliardë euro, të bëhet transparencë

Publikuar më: 9/11/2022, ora 10:40

Miratohet mes debateve projektligji për Portin e Durrësit. Alibeaj: Kostoja 2.1 miliardë euro, të bëhet transparencë

Publikuar më: 9/11/2022, ora 10:40

Kuvendi ka miratuar me procedurë të përshpejtuar me 62 vota pro projektligjin për Portin e  Durrësit. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se kjo do ta kthejë Durrësin në një pikë të rëndësishme të industrisë së turizmit. Kjo u kundërshtua nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj, sipas të cilit, kostoja e këtij projektligji është 2 miliardë e 100 milionë euro dhe nuk ka asnjë transparencë nga qeveria.

Balla u bëri thirrje të gjithë deputetëve të Durrësit për ta votuar, për ta kthyer Durrësin në hartën e porteve turistike dhe të mos dëgjojnë Berishën, të cilin e akuzoi se paguhet nga Kremlini.

“Thirrja ime është për deputetët e Durrësit që jo vetëm ta votojmë sot, por edhe në seancë që duhet ta votojmë pa humbur kohë. Shteti shqiptar ka negociuar për një kohë të gjatë dhe ka sjellë një kontratë që i jep mundësi Shqipërisë që nga një mungesë totale në hartën e porteve turistike të kthehet në një nga pikat më të rëndësishme të këtij sektori që nuk kemi ekzistuar dhe shumë shpejt Porti i Durrësit do të kthehet në pikë të rëndësishme të industrisë së turizimit e jahteve dhe do ta kthejë Durrësin në një nga atraksionet turistike të Mesdheut. Prandaj akuzat që keni hedhur pa lexuar asnjë element tërhiqini mbrapsht do të keni kohë dy javë për ta diskutuar. Ky është momenti ku ju nuk duhet t’i shkoni nga mbrapa këngës së Saliut. Saliu e ka mendjen në vend tjetër. Është në borderotë e Kremlinit dhe Kremlini nuk ka interes që në Shqipëri të zhvillohet një port që të konkurrojë porte të tjera ku ka interesin e vet. Fjalën time për këtë marrëveshje do ta mbaj në datë 24 kur të kalojë në seancë. Hiqni dorë nga të shkuarit nga mbrapa Saliut symbyllurazi, se i ka parë si mundësi për zhvillimin e xhepave të familjes së vet”.

Por Alibeaj kërkoi nga qeveria që të bëjë transparencën për këtë aferë dhe u bëri apel deputetëve që të mos ta votojnë. Sipas tij, nguti për ta votuar me procedurë të përshpejtuar qëndron te kostoja 2 miliardë e 100 milionë euro.

“Sot teksa duhet të diskutonim buxhetin papritur sillni ligjin me procedurë të përshpejtuar për Portin e Durrësit. Është një projektligj që ka 5 nene, ky ligj kushton më shumë nga 30 vite 2 mld e 100 milionë euro është kostoja e këtij projektligji me 5 nene, 400 milionë një nen dhe ju doni ta kaloni me procedurë të përshpjetuar kur diskutohet buxheti dhe ta kaloni fshehurazi. Ju sot po prisni shiritin e një afere ekonomike që mund të kthehet shumë shpejt në korrruptive. Ka një vit që negociohet. Negociohet midis kujt? Çfarë është dhënë e marrë? Sa është shuma që shteti fiton? Jeni duke shitur 1milion metra katrorë nga zemra e Shqipërisë për 2 miliardë e 100 milionë. Kjo është shumë e madhe që do të mbyllë gojën e shumë deputetëve dhe mediave e analistëve, edhe të shumë organizatave të shoqërisë civile, por gojën e deputetëve të opozitës të pakapur nuk ka për ta mbyllur kurrë. Çfarë pazari keni bërë me kë e keni bërë? Sa fiton shteti shqiptar? A ka pasur procedurë konkurruese që Portin e Durrësit t’ia ofronte dikujt më shumë se kaq? Ku është transparenca? Harrojeni ligjin e Teatrit, portin e Vlorës, Air Albania nuk janë asgjë para kësaj afere ekonomike deri më tani që doni ta kaloni vjedhurazi. Kjo është prona e shqiptarëve. Kërkoj që parlamenti të mos e miratojë me shpejtësi këtë ligj, qeveria të sjellë të gjitha dokumentet që askush nuk i di, për këto 5 nene e 8 shtojca, të lexojmë dhe të kuptojmë. Fakti që nuk i keni sjellë sot aty fshihet djalli te detajet te këto marrëveshje”.