Territori i fundit në Tokë pa pronar

Publikuar më: 9/11/2022, ora 15:54

Territori i fundit në Tokë pa pronar

Publikuar më: 9/11/2022, ora 15:54

Toka është e mbushur me vende të mrekullueshme, por ka ende shumë hapësira të largëta të globit që pak njerëz mund t’i vizitojnë. Në librin e tyre, Remote Experiences, fotografi David De Vleeschauwer dhe gazetarja Debbie Pappyn, përshkruajnë 12 territore të fshehura dhe të paeksploruara.  

Një nga destinacionet e tilla më interesante është Poli i Veriut. Në pronësi të askujt, por që pretendohet nga shumë shtete, ky territor enigmatik është një shtresë akulli që lëviz vazhdimisht në mes të Oqeanit Arktik. Akullthyesi më i madh dhe më i fortë në botë me energji bërthamore, “50 Let Pobedy”, lundron çdo verë me 100 pasagjerë në bord, të gjithë të etur për të shkelur në veri të globit. Emri i anijes do të thotë në rusisht “50 Vjet fitore” dhe i referohet 50-vjetorit të triumfit të Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore. Sapo mbërrijnë në “mbretërinë e arinjve polarë”, vizitorët përballen me një sërë rregullash të reja. 

Heshtje e ngrirë, panorama e bardhë surreale dhe errësira e thellë e oqeanit të akullt, duken të pafundme. Teksa anija kalon nëpër peizazhin bosh, pasagjerët e veshur me rroba të trasha shohin se si akulli shkëputet dhe plasaritet. Sigurisht që ky nuk është një udhëtim i zakonshëm detar, pasi rruga për në pikën më veriore të planetit, zgjat 11 ditë të mundimshme dhe të rrezikshme. Aktivitete që mund të bëjnë turistët janë të pakta, megjithatë ata mblidhen, konsumojnë vodka dhe sfidojnë të ftohtin duke u zhytur në ujërat e akullta të Oqeanit.

Pas udhëtimit me anije, ata mund të zgjedhin të vizitojnë përmes disa varkave ishullin Hooker, ku admirojnë nga afër disa nga akullnajat më të larta në të cilat gjenden më shumë se 70.000 pulëbardha dhe shpendë të tjerë. Udhëtimet me helikopter janë një opsion tjetër që i mundëson turistëve të shohin nga lart dhe të kuptojnë se sa i pafund dhe mahnitës është Poli i Veriut.