Sherri në Kuvend me Ramën, e vërteta sipas Edi Palokës

Publikuar më: 10/11/2022, ora 16:09
edi paloka 1280x720

Sherri në Kuvend me Ramën, e vërteta sipas Edi Palokës

Publikuar më: 10/11/2022, ora 16:09

Edi Paloka, një prej dy deputetëve të opozitës që u përfshi në një sherr me kryeministrin Edi Rama në fund të seancës parlamentare ku u miratua buxheti i vitit të ardhshëm, akuzoi kreun e PS se fyeu dhe provokoi deputetët kundërshtarë disa herë.

“Po, pas një tjetër provokimi sot të Ramës ndaj deputetëve të opozitës, ndërkohë që seanca ishte ndërprerë, unë dhe deputeti Leskaj thjeshtë i kthyem atij përgjigjen që meritonte dhe ashtu si e meritonte”, shkruan Paloka në llogarinë e tij në Facebook.

“Nuk jemi marrë më askënd tjetër përveç se me një palaço që fatkeqësisht sot është kryeministër dhe mendon se mund të sillet me shqiptarët, përfshi deputetët e opozitës, sikur të jenë skllevër të tij. Këtë përgjigje do ta marrë edhe më të qartë nga të gjithë ata shqiptarë që iu ka ardhur në majë të hundës jo vetëm nga të zezat e këtij kryeministri, por edhe me arrogancën e poshtërimin që iu bën çdo ditë”.

“Sa për atë justifikimin qesharak se ne paskemi qenë “të dehur” kur kemi fyer Ramën, mund të bëjmë teste të dyja palët”, shton Paloka. “Po Ramës do t’i duhet të bëjë testin e drogës se e di kushdo që e njeh së nuk hyn në asnjë seancë të rëndësishme parlamentare pa i thithur ca viza kokaine…”.

Paloka kërkon reagim nga Kuvendi për sjelljen e kryeministrit. “Dje e ndoqën të gjithë se si ai fyeu deputetët e opozitës që ishin në sallë, praktikisht fyeu të gjithë opozitën dhe jo për herë të parë. Asnjë reagim nuk pati ndaj tij, as edhe një vërejtje formale. Ndërkohë, sot kërkohet përjashtimi i deputetëve të opozitës sepse paskemi fyer Ramën. Ne do të na përjashtojnë sepse “të dehur” paskemi fyer Ramën. Ramën a do ta përjashtojnë që vjen i droguar në çdo seancë dhe fyen jo vetëm deputetët, por të gjithë shqiptarët?”.

E gjithë kjo situatë ndodhi kur regjia e parlamentit ndërpreu sinjalin, por në momentin e rikthimit të saj, dallohet kordoni i gardës ishte vendosur në mes kryeministrit dhe deputet Paloka. Për këtë incident, zyra e shtypit e grupit parlamentar të Partisë Socialiste njoftoi se ka kërkuar përjashtimin prej 10 ditësh të dy deputetëve demokratë.

Ndërsa Edi Paloka, i pyetur nga A2 CNN mbi këtë ngjarje, u shpreh se i kthe u kryeministrit përgjigjen për ofendimet e shprehura një ditë më parë ndaj deputetëve të opozitës. Disa nga demokratët në sallë pretendojnë se edhe kryeministri iu kundërpërgjigj me fjalor banal.