Zgjedhjet e mesit të mandatit, Biden i lehtësuar: Ditë e mirë për demokracinë

Publikuar më: 10/11/2022, ora 10:54

Zgjedhjet e mesit të mandatit, Biden i lehtësuar: Ditë e mirë për demokracinë

Publikuar më: 10/11/2022, ora 10:54

 “Ishte një ditë e mirë për demokracinë. Dhe mendoj se ishte një ditë e mirë për Amerikën”. Nuk e ka fshehur dot lehtësimin presidenti amerikan Joe Biden, pasi demokratët shmangën një fitore të madhe të republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit.

Republikanët duket se do të marrin kontrollin e dhomës së përfaqësuesve, por beteja për Senatin është e ngushtë dhe mbetet e varur te rezultatet në tri shtete. Partia në pushtet, që aktualisht është ajo demokrate, zakonisht pëson humbje në zgjedhjet e para të mesit të mandatit.

Por Biden theksoi  “dallga e kuqe gjigante” që kishin parashikuara mediat, nuk ishte materializuar mbrëmjen e së martës.

 “Shtypi dhe ekspertët parashikuan një dallgë të kuqe gjigante, por ajo nuk ndodhi. Çdo vend i humbur në Kongres është i dhimbshëm dhe disa demokratë të mirë nuk fituan, por demokratët patën një ditë të fortë”, shtoi Biden.  

Strategët republikanë kishin shpresuar të siglonin fitore të vrullshme duke qenë se inflacioni është në nivelin më të lartë në 40 vjet dhe popullariteti i Biden në nivele të ulëta. Por të dhënat e eksit-polleve sugjeruan se votuesit mund të kenë ndëshkuar kampin e kuq për përpjekjet për të kufizuar qasjen ndaj abortit. Përtej natës më të mirë nga çfarë priste, Biden tha se planifikon të rikandidojë në presidencialet e 2024-s.

“Qëllimi im është të kandidojë sërish. Por në fund ky do të jetë një vendim që do të merret në familje”, deklaroi presidenti amerikan.

Republikanët sakaq, janë pranë sigurimit të 218 vendeve në dhomën e përfaqësuesve, aq sa i duhen për të pasur shumicën. Nëse do të fitojnë edhe në senat, do të jenë në gjendje të bllokojnë agjendën e presidentit.

Secila prej partive që do të fitojë dy nga tre garat ne Arizona, Xhorxhia dhe Nevada do të marrë kontrollin e Dhomës së Lartë. Në Arizona rezultatet anojnë nga demokratët, në Nevada janë kokë më kokë, ndërsa fituesi në Xhorxhia do të zgjidhjet në një balotazh muajin e ardhshëm.