BBC: Pse vijnë shqiptarët në Britani dhe sa kanë mbërritur deri tani?

Publikuar më: 11/11/2022, ora 17:09
emigrantet 1280x720

BBC: Pse vijnë shqiptarët në Britani dhe sa kanë mbërritur deri tani?

Publikuar më: 11/11/2022, ora 17:09

Ministri britanik i Emigracionit, Robert Jenrick, ka theksuar se “80% e emigrantëve që mbërrijnë në mënyrë ilegale në Britaninë e madhe, vijnë nga Shqipëria”. BBC analizon shifrat dhe arsyet se pse njerëzit po largohen nga Shqipëria, ndonëse është një vend i sigurt.

Sa emigrantë shqiptarë largohen në Britaninë e Madhe?

Sipas BBC, ka pasur një rritje të shpejtë të numrit të emigrantëve shqiptarë që kalojnë Kanalin e La Manshit me gomone.

  • Në vitin 2020, 50 emigrantë u larguan në Britani me gomone
  • Në vitin 2021, 800 emigrantë
  • Në 2022, 12.000 emigrantë

Nga emigrantët shqiptarë të këtij viti, rreth 10.000 ishin burra beqarë që përfaqëson rreth 1% të meshkujve në moshë pune në Shqipëri, sipas shifrave të popullsisë nga Eurostat.

Sa emigrantë shqiptarë përfitojnë azil?

Nga fillimi i vitit deri në qershor 2022 janë paraqitur 7267 kërkesa për azil nga emigrantët shqiptarë, dyfishi i një viti më parë. Në përgjithësi, 53% e kërkesave nga shqiptarët pranohen. Disa emigrantë shqiptarë bëjnë kërkesa për azil me pretendimin se janë trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar. Por jo të gjithë kërkojnë azil, pasi ka nga ata emigrantë që zgjedhin të “zhduken” dhe të punojnë ilegalisht.

Shqiptarët mund të hyjnë në Britaninë e Madhe me vizë duke aplikuar për viza turistike, biznesi, studimesh apo për aktivitete të tjera. Midis korrikut 2021 dhe qershorit 2022, Britania e Madhe mori 30.703 aplikime për viza nga shtetasit shqiptarë dhe 20.289 prej tyre arritën ta mernin.

Sa shqiptarë janë kthyer?

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, 440 persona u kthyen në Shqipëri. Një marrëveshje dypalëshe e nënshkruar në vitin 2021 nga sekretarja e atëhershme e Brendshme britanike, Priti Patel, synonte të përshpejtonte largimin e shqiptarëve me precedentë penalë dhe azilkërkuesve.

Çfarë i shtyn emigrantët të largohen nga Shqipëria?

Tri dekada pas rënies së diktaturës së Enver Hoxhës dhe hapjes së kufijve të Shqipërisë, sipas një sondazhi të Gallup të publikuar në dhjetor 2018, rreth 60% e popullsisë së rritur të vendit donte të largohej. Arsyet që i bënin shqiptarët të largoheshin ishin korrupsioni, pagat e ulëta, kushtet e këqija të punës dhe cilësia e ulët e jetesës.

Aktualisht, papunësia e të rinjve shqiptarë (15-29 vjeç) është 20%. Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe negociatat për këtë u hapën në korrik 2022. Momenatlisht, qytetarët shqiptarë mund të hyjnë pa viza në BE dhe të qëndrojnë deri në 90 ditë si turistë, por nuk kanë të drejtë për të punuar, studiuar apo jetuar atje.

Cilat janë shqetësimet për bandat shqiptare?

Sipas një raporti të Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), publikuar në fillim të këtij viti, bandat shqiptare janë protagonistet kryesore në tregun e kokainës prej 5 miliardë paundësh në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu, nga gushti i këtij viti, ka pasur një rritje të reklamave në TikTok, për t’i çuar emigrantët nga Shqipëria në Angli me një kosto nga 2000 deri në 5000 paund.

Vitin e kaluar, Home Office nisi një program për ndërgjegjësimin e adoleshentëve shqiptarë për të mos iu bashkuar bandave që trafikojnë njerëz dhe kokainë në Mbretërinë e Bashkuar. Shqiptarët përbëjnë një nga grupet më të mëdha të shtetasve të huaj në burgjet e Anglisë dhe Uellsit.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, lidhur me këtë çështje është shprehur në një postim në Twitter: “Mbretëria e Bashkuar duhet të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave”.