Borrell pas takimeve me Kurtin e Vuçiçin: Nuk duam luftë në tokën tonë. Serbët të kthehen në institucionet e Kosovës

Publikuar më: 11/11/2022, ora 16:36

Borrell pas takimeve me Kurtin e Vuçiçin: Nuk duam luftë në tokën tonë. Serbët të kthehen në institucionet e Kosovës

Publikuar më: 11/11/2022, ora 16:36

“Nuk duhet të kemi një tjetër luftë në tokën europiane”. Ishte ky mesazhi i përçuar nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Josep Borrell, dhe ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak, udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. Gjatë takimeve të ndara me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandër Vuçiç në Paris, ata ofruan recetën për tejkalimin e tensioneve të fundit, të bazuar në respektimin e marrëveshjeve të firmosura në kuadër të dialogut.

“Serbët e Kosovës duhet të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të rifillojnë detyrat e tyre, dhe Kosova duhet t’i harmonizojë veprimet e saj për targat me marrëveshjet e kaluara të Dialogut dhe të nisë negociatat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe pa vonesa të mëtejshme.”

Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë për Politikë të Jashtme i BE 
Borrel dhe Vuçiç pranë Kullës Eiffel Paris

Kurti fokusin e pati në negociatat për marrëveshjen përfundimtare, por pa anashkaluar zotimin për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.

“Kryeministri Kurti theksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, ndërsa tha se propozimi franko-gjerman, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.”

Qeveria e Kosovës

Ndërsa Vuçiç, i cili priti zyrtarët e lartë europianë në ambasadën e Serbisë, me kullën Eifel në sfond, përsëriti akuzat ndaj Kosovës dhe lajmëroi se nuk do të bëjë lëshime, edhe pse paralajmëroi se pas 21 nëntorit situata do të jetë shumë e ndërlikuar.

“Borrell dhe Lajçak më treguan për bisedën me Kurtin dhe nuk ishin aspak optimistë. Është e vështirë të gjesh një propozim racional. Unë e di kush e ka fajin, por ai ka mbrojtjen e shumë të fuqishmëve. Ai mund të bëjë çfarë të dojë dhe gjithmonë do të ketë mbështetjen e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe. Por Serbia nuk do të heqë dorë nga asgjë e saj.”

Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë

Ndërkohë, më herët udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pritën në takime të ndara nga presidenti I Francës, Emmanuel Macron. Kurti, Vuçiç dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani janë në Paris për forumin e paqes.