Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Nga Italia te shkretëtira e Kalaharit, 13 hotelet më luksoze në të gjithë botën

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2022, 22:12 | Lifestyle

Pandemia duket se është drejt fundit dhe hotelet nga e gjithë bota, kanë hapur dyert për turistët që duan të përjetojnë qetësinë dhe luksin e shumë yjeve. Nga pishinat personale në çdo dhomë, te suitat në mes të pyllit, këto 13 resorte ofrojnë për pushuesit eksperienca të paharrueshme.

Në shumicën prej tyre kanë qëndruar edhe personazhe të njohur në botën e muzikës, artit apo futbollit, duke u bërë edhe më tërheqëse. Por sigurisht, çmimet janë të kripura prandaj kushdo që shkel në këto hotele, duhet të mendohet mirë.

The Brando, Polinezia Franceze

The Brando është një resort i ndërtuar në ishullin privat të Marlon Brandos në Tetiaroa, 30 milje në veri të Tahitit.

Ky vendpushim është i preferuari i të famshmëve si Leonardo DiCaprio, Bradley Cooper apo Ellen DeGeneres. Ish-presidenti Barack Obama gjithashtu u arratis në këtë ishull  pasi u largua nga detyra në vitin 2017.

Ka vetëm 35 vila me çati kashte, secila me një pishinë private, tavolinë ngrënieje në natyrë dhe të gjitha komoditetet që mund të shijoni në një hotel me pesë yje. Pak hapa nga dhoma e gjumit ndodhet edhe oqeani me rërë të bardhë. Çmimet e dhomave fillojnë nga 3200 dollarë/nata.

Matakauri Lodge, Zelanda e Re

I rrethuar nga male madhështore, hoteli ngrihet përballë liqenit Wakatipu, ka 12 shtëpiza dhe në resort zhvillohen një sërë aktivitetesh unike.

Në Matakauri ka vend për dy kategori pushuesish:

-Për aventurierët: mund të hidhesh me parashutë, mund të bësh rafting, apo të vizitosh ujëvarat në zonën përreth.

-Për udhëtarët e lodhur: mund të bësh trajtime, masazhe, sauna, që të gjitha përballë peizazheve panoramike.

Çmimet në këtë resort fillojnë nga 1,130 dollarë/nata.

Sensei Lanai, Hawaii

Sensei është një resort vetëm për të rritur dhe ndodhet i izoluar diku në ishullin Haëaii. Suitat janë të ndërtuara me dru, ndodhen larg nga njëra-tjetra dhe fshihen mes bimësisë.

Shumica prej tyre janë ndërtuar buzë liqeneve të vogla, ndërsa pavarësisht se jeta e egër përreth të ofron një eksperiencë të vecanntë, brenda kabinave gëlon luksi.

Në suitë mund të bëni spa dhe trajtime të ndryshme, të meditoni apo të hani darkë buzë oxhakut.

Çmimet fillojnë nga 1,320 dollarë/nata.

Hotel Château du Grand-Lucé, Francë

E vendosur në një luginë në Francë, Grand-Lucé është një kala e shekullit të 18-të. 55 minuta larg nga Parisi, hoteli ka 17 suita të cilat ndriçohen gjithë mëngjesin nga dielli, secila është e stolisur me murale të pikturuara me dorë, llambadarë kristali dhe mobilje antike.

Në këto dhoma ka vaska si në të kaluarën dhe ballkone plot me trëndafilë. Një nga pikat më interesante të hotelit është pishina prej guri. Çmimet fillojnë nga 828 dollarë/nata.

Jack's Camp, Botsvana

Kushdo që dëshiron një arratisjeje të vërtetë, Jack’s Camp është ideal. Resorti është ngritur në shkretëtirën Kalahari dhe ndodhet në një rezervat privat me kafshë të egra.

Në këtë kamp ka nëntë tenda të mëdha luksoze për mysafirët, të pajisura me shtretër prej pelushi, me dekore unike nga Bota e Vjetër dhe pishina private.

Ka gjithashtu një bibliotekë, dhomë bilardoje, bar dhe një zonë ku pihet çaj ulur në qilima persiane dhe jastëkë prej pelushi.

Çmimet fillojnë nga 1,450 dollarë/nata.

Hotel West Hollywood, Los Anxhelos

West Hollywood ka disa nga suitat më luksoze në të gjithë Los Anxhelosin, të zbukuruara me dekore prej balte, stil minimalist, banja prej mermeri dhe pamje magjepsëse mbi Kodrat e Hollivudit.

I gjithë hoteli është pa plastikë dhe të ftuarit mund të bashkohen me një program besnikërie për të ndihmuar njëri-tjetrin me ide sesi të pakësojnë përdorimin e  elementëve të dëmshëm për mjedisin.

Çmimet fillojnë nga 500 dollarë/nata.

Grand Hotel Tremezzo, Itali

Grand Hotel Tremezzo, një hotel ikonik i vendosur në brigjet e liqenit të Komos do të ishte një zgjedhje ideale për këdo që e pëlqen Evropën.

Ai ka 90 dhoma, të gjitha të dekoruara në mënyrë individuale, të pajisura me detaje të këndshme si ballkone të gjera, tarraca dhe vaska me hidromasazh. 

Hoteli ka tre pishina, një prej të cilave, të çon deri në buzë të liqenit.

Çmimet fillojnë nga rreth 760 dollarë/nata.

Soneva Jani, Maldives

Soneva Jani shquhet për kabinat mbi ujë, të pajisura me pishina private të cilat kanë hyrje për të kaluar drejt e në oqean.

Atraksione të tjera përfshijnë një kinema mbi ujë, një observator për shikimin e yjeve dhe një dhomë vetëm me ëmbëlsira. Çdo vilë ka gjithashtu me një çati që mund të hapet, në mënyrë që gjatë natës të shihen yjet.

Çmimet fillojnë nga 3,352 dollarë/nata.

Raffles, Singapor

Raffles është një nga hotelet më të mëdha në botë dhe pikë referimi për shumë hotele të tjera me pesë yje në mbarë botën sot.

Prona 135-vjeçare është përkufizimi i luksit, nga suitat e saj të veshura me stil dhe hijeshi, deri te bari i tij elegant Long, ku u shpik edhe kokteji Singapore Sling në 1915.

Çdo mysafir ka një shërbyes i cili ndihmon për gjithçka

Çmimet fillojnë nga 960 dollarë.

Crown Sydney, Australi

Crown Sydney u hap në fund të 2020 dhe mori plot katër vite për të përfunduar.

Hoteli kategorizohet me gjashtë yje, ka formën e një petaleje dhe krenohet me 14 restorante dhe bare të njohura botërisht.

Tipike e Crown Sydney është pishina me pamje nga limani i Sydney-t.

Çmimet fillojnë nga 850 dollarë/nata.

Silversands Grenada, Karaibe

Ky resort krenohet me pishinën më të gjatë në Karaibe, rreth 100 metra. Gjithashtu ka edhe dy restorante që kanë kapërcyer cdo kritikë botërore.

Silversands ka 43 suita me dritare nga dyshemeja deri në tavan, plus disa vila buzë detit.

Çmimet fillojnë nga 900 dollarë/nata.

 Beyond Grumeti Serengeti River Lodge, Tanzani

Ky hotel luksoz nga andBeyond shquhet për një një dizajn ku ndërthuren në harmoni e kaluara dhe bashkëkohorja.

Suitat për mysafirë janë sa dyfishi i dhomave normale, kanë pishina private dhe ballkone gjigante me pamje nga kodrat.

Çmimet nga 1080 dollarë/nata.

W Melbourne, Australi

W Melbourne u hap në fillim të vitit të kaluar dhe ka pesë restorante dhe bare, plus një pishinë të brendshme me çati dhe një dhomë ku ka gjithnjë DJ.

294 dhomat e tij janë të kuruara deri në detajet më minimaliste dhe kanë pamje të mrekullueshme mbi qytet ose lumin Yarra të Melburnit.

Çmimet fillojnë nga 285 dollarë/nata.

A2 CNN Livestream

Dita jonë