Paketat turistike të nëntorit, arratisjet për festa shkojnë deri në 1 mijë euro

Publikuar më: 11/11/2022, ora 12:14

Paketat turistike të nëntorit, arratisjet për festa shkojnë deri në 1 mijë euro

Publikuar më: 11/11/2022, ora 12:14

Për ditën e pavarësisë në Stamboll, apo për festën e çlirimit në Mynih. Destinacionet e preferuara nga shqiptarët për festat e nëntorit shtrihen, sipas jorganit, nga rajoni në Europë dhe së fundmi edhe në Abu Dhabi dhe Dubai.

Paketat që ofrojnë operatorët turistikë variojnë në ofertë, duke nisur nga lloji i transportit, ditët e qëndrimit dhe lehtësitë e përfshira në paketë, që kryesisht konsistojnë në dhomën e hotelit dhe mëngjeset.

Për fundnëntorin, sipas të dhënave të agjencive për A2 CNN, destinacionet më të preferuara nisin me një çmim pakete prej 55 euro për dy ditë në Strugë dhe Ohër, për të vijuar me 3 ditë në Budva dhe Kotor për 119 euro; Milano dhe Romë nga 299 deri në 399 euro; Madrid 365 euro dhe Barcelonë 499 euro për 4 ditë.

Stambolli mbetet një destinacion shumë i zgjedhur me një paketë mesatare 215 euro për 3 ditë. Ndërsa turet në Abu Dhabi, Dubai, që zgjasin 5 ditë llogariten në 599 euro për person.

Këtyre çmimeve i shtohen edhe shpenzimet për ushqim, argëtim dhe suvenire. Shpenzimet mesatare për një turist shqiptar në vendet europiane përllogariten në rreth 70 euro në ditë, ndërsa në vendet e rajonit, rreth 40 euro në ditë.

Me një llogaritje të tillë arratisja patriotike për festa, varion nga 135 euro për dy ditë me autobus në Maqedoninë e Veriut, deri në 950 euro për një pushim të gjatë në Emiratet e Bashkuara Arabe.