Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia: Të mos ndalen protestat deri sa të ikë Rama

Publikuar më: 12/11/2022, ora 18:08
REGJIA frame 125207 1280x720

Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia: Të mos ndalen protestat deri sa të ikë Rama

Publikuar më: 12/11/2022, ora 18:08

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, e vetmja që drejtohet nga opozita në vend, ishte i pranishëm në protestën e madhe të organizuar të shtunën para kryeministrisë. Bardh Spahia u bëri thirrje njerëzve, por edhe Sali Berishës e Ilir Metës, që të mos ndalen te vetëm një protestë, por të vijojnë deri sa të arrihet largimi i Ramës.

“Era e ndryshimit nisi nga Shkodra dhe kam bindjen më të thellë se me këtë vullnet, me këtë kurajë për të mos u dorëzuar, me vetëdijen për të luftuar për atë që na takon, era e ndryshimit po fryn në të gjithë Shqipërinë”, tha Spahia.

“Sot është një ditë e bukur lirie! Por kjo nuk mjafton nëse ne vendosim ta lëmë me kaq. Protesta jonë duhet të jetë e pandalshme deri në ditën që ky kryeministër dhe qeveria e tij të japin dorëheqje dhe t’i hapin rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme”.

Spahia tha se shpopullimi ka prekur veçanërisht qytetin që ai drejton. “Vetëm vitin e kaluar nga Shkodra u larguan mbi 5 mijë qytetarë. Këtë vit ky numër ishte shume herë më i madh. Janë larguar nga vendi i tyre dhe ky nuk është thjesht emigrim. Ky është eksod. Ikje për t’u larguar nga e keqja, nga krimi dhe korrupsioni që sundon! Në rini, edhe unë kam ikur nga Shqipëria, por u ktheva sërish! Jam kthyer me ëndrrën se vetëm këtu mund të jetoj siç ma do zemra me familjen dhe me miqtë e mi. Nuk na duhet të ikim ne nga vendi! Është koha që të ikë qeveria!