Opozita rikthehet sot në protestë përpara kryeministrisë

Publikuar më: 12/11/2022, ora 08:15
Sali Berisha ne proteste 1280x720

Opozita rikthehet sot në protestë përpara kryeministrisë

Publikuar më: 12/11/2022, ora 08:15

Pasditen e kësaj të shtune, në orën 16:00, opozita do të rikthehet të protestojë përballë kryeministrisë, në atë që një ditë më parë Berisha e quajti si kulmin e zemërimit popullor shqiptar ndaj qeverisë së Edi Ramës.

“Revolta, padurimi i qytetarëve shqiptarë po kulmon, po rritet çdo orë dhe me padurimin më të madh po presin protestën e nesërme në ora katër të pasdites si një ngadhënjim të plotë të popullit opozitar, si një dëshmi përfundimtare e vendimit të këtij populli për të mos pranuar kurrë më, armikun e egër të votës së tyre të lirë”, u shpreh Berisha.

Më tej, ai u shpreh se do të përdoren të gjitha metodat e mosbindjes civile nga opozita, por u rezervua të jepte detaje. Në këtë protestë, Berisha do të mbështetet edhe nga Partia e Lirisë dhe forcat e tjera opozitare.

Një ditë më parë, policia publikoi edhe masat për mbarëvajtjen e protestës.

“Në kuadër të tubimit që do të zhvillohet më datë 12.11.2022, në orën 16:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, Policia e Shtetit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave, të hartuar për këtë qëllim, njofton qytetarët se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve të tjera, në varësi të lëvizjes së pjesëmarrësve në  tubim. Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, duke filluar prej orës 15:00, të datës 12.11.2022, deri në përfundim të tubimit, janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Ndërkohë, edhe ambasada amerikane lëshoi një paralajmërim për qytetarët e saj. Selia diplomatike e Shteteve të Bashkuara këshillon qytetarët amerikanë që të shmangin këtë tubim, ku situata mund të ndryshojë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshëm.