Kultivonin kanabis në tokën e tyre, arrestohen babë e bir në Elbasan

Publikuar më: 13/11/2022, ora 10:28
elbasan 1 1280x720

Kultivonin kanabis në tokën e tyre, arrestohen babë e bir në Elbasan

Publikuar më: 13/11/2022, ora 10:28

Babë e bir u arrestuan nga policia për kultivim dhe posedim të kanabisit. Policia e Elbasanit njofton se Selim Beqari dhe Zamir Beqari kishin kultivuar kanabis në një sipërfaqe toke në fshatin Gracen.

Gjithashtu efektivët gjetën dhe sekuestruan në banesën e këtyre shtetasve, disa thasë me një sasi prej 58 kilogramësh kanabisi.

Njëkohësisht, u arrestuan në flagrancë, edhe administratori i Njësisë Administrative Gracen, 58-vjeçari Fadil Salla dhe kryeplaku i fshatit, shtetasin Ramiz Beqari, 62 vjeç.

Nën hetim janë vendosur dhe 3 persona të tjerë të cilët dyshohet se janë të përfshirë në kultivimin e kanabisit.

Njoftimi i Policisë Elbasan/Sekuestrohen rreth 58 kg lëndë narkotike kanabis.

Finalizohet operacioni policor antikanabis i koduar “Bodin”, i zhvilluar me metoda hetimore proaktive.

Kultivonin bimë narkotike në tokën e tyre, në fshatin Bobin, dhe më pas i përpunonin ato, arrestohen në flagrancë 2 shtetas (babë e bir).

Në pranga gjithashtu, administratori i Njësisë Administrative Gracen, si dhe kryeplaku i fshatit Bodin, në Njësinë Administrative Gracen, Elbasan.

Në kuadër të këtij operacioni, në hetim edhe 3 shtetas të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Departamentit të Policisë Kriminale në DPPSH dhe ata të DVP Elbasan, pas një pune të mirëfilltë hetimore të realizuar me metoda proaktive, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, finalizuan operacionin policor antikanabis të koduar “Bodin”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:

– S. B., 62 vjeç, banues në fshatin Bodin, dhe Z. B., 27 vjeç, banues në Sarandë (babë e bir).

Nga kontrolli i ushtruar në tokën e këtyre shtetasve, në fshatin Bodin, Gracen, Elbasan, janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 17 bimë të prera, të dyshuara narkotike kanabis.

Gjithashtu, gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 7 thasë të mbushur me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 58 kilogramë.

Njëkohësisht, u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit:

– F. S., 58 vjeç , banues në Elbasan, administratori i Njësisë Administrative Gracen, Elbasan;

– R. B., 62 vjeç, kryeplaku i fshatit Bodin, Gracen, Elbasan.

Po në kuadër të këtij operacioni, u proceduan penalisht 2 shtetas, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, si dhe 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.