Zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, demokratët ruajnë kontrollin e Senatit pas fitores në Nevada

Publikuar më: 13/11/2022, ora 09:15

Zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, demokratët ruajnë kontrollin e Senatit pas fitores në Nevada

Publikuar më: 13/11/2022, ora 09:15

Demokratët do të mbajnë kontrollin e shumicës së Senatit të SHBA-së, pasi fituan një garë të rëndësishme në shtetin e Nevadës. Senatorja Catherine Cortez Masto parashikohet të mposhtë sfiduesin republikan Adam Laxalt, i cili u mbështet nga ish-presidenti Donald Trump.

Presidenti i SHBA, Joe Biden tha se ishte tepër i kënaqur nga rezultati.

Udhëheqësi i shumicës demokratike në Senat, Chuck Schumer, tha se rezultatet treguan se populli amerikan kishte hedhur poshtë atë që ai e quajti “retorikë të dhunshme” të Partisë Republikane.

Demokratët do të kenë tani 50 vende në Senat, kurse republikanët aktualisht me 49.

Vendi i mbetur, Xhorxhia, do të kalojë në balotazh në dhjetor. Në rast se Senati ndahet në mënyrë të barabartë midis dy partive, zëvendëspresidentja Kamala Harris ka votën vendimtare.

Republikanët ende mund të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së pasi votat vazhdojnë të numërohen nga një pjesë e vogël e zonave pas zgjedhjeve të së martës.

Nëse republikanët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve, ata mund të pengojnë një pjesë të madhe të agjendës së zotit Biden.

Rezultati është një goditje e madhe për republikanët, të cilët shpresonin për një “valë të kuqe”, një përplasje elektorale që do të sillte kritika të ashpra ndaj presidentit Biden dhe demokratëve të tij.

Kontrolli i Senatit është një fitore e rëndësishme për Biden, i cili del i forcuar nga zgjedhjet afatmesme, të cilat shkuan përtej pritshmërive dhe precedentëve historikë për partinë.