Basha reagon ndaj Berishës: Sa herë do të fshehë diçka, non grata hap thesin e mashtrimeve

Publikuar më: 14/11/2022, ora 13:30
sali berisha lulzim basha 1280x720

Basha reagon ndaj Berishës: Sa herë do të fshehë diçka, non grata hap thesin e mashtrimeve

Publikuar më: 14/11/2022, ora 13:30

Sali Berisha u shpreh këtë të hënë se Lulzim Basha dhe Edi Rama janë të përfshirë në atë që opozita e quan “afera e Portit të Durrësit”. Nuk ka vonuar shumë dhe ka reaguar Lulzim Basha. Ish-kreu i PD-së shkruan se sa herë Berisha kërkon të fshehë diçka hap thesin e mashtrimeve.

“Sa herë do të fshehë diçka, non grata hap thesin e mashtrimeve dhe shpifjeve. Trekëndëshi i Bermudës është i pandarë në korrupsion, lidhje me krimin dhe minim të demokracisë. E vërteta është e thjeshtë: Bashkë i kanë oligarkët dhe mediat, lejet, kullat, koncesionet e tenderat, bandat dhe policët e gjyqtarët e korruptuar”, shkruan Basha.

Berisha e ka akuzuar disa herë Bashën se ka bashkëpunuar me Ramën, por kjo është hera e parë që emri i ish-kryetarit të PD përfshihet në debatet për ndërtimin e portit të ri në Durrës. Më parë Berisha ka akuzuar Ramën se pas marrëveshjes me kompaninë “Alabbar” fshihen disa serbë të lidhur me Aleksandar Vuçiç dhe presidentin bjellorus Alexander Lukashenko.

Javën e kaluar, Parlamenti shqiptar miratoi kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për ndërtimin e portit të jahteve. Në marrëveshje, kompania pretendon se do të investojë 2 miliardë euro, për ndërtimin e portit, apartamenteve dhe hoteleve. Në marrëveshje, ndër të tjera, parashikohet një arkëtim prej 3,2 miliardë eurosh, 1,2 miliardë euro neto fitim. Gjithsej është parashikuar që të ndërtohen deri në 2,2 milionë metra katror sipërfaqe banimi, brenda vitit 2026.

Të premten, Partia Demokratike depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një padi ndaj asaj që e cilëson si aferën e Portit të Durrësit. Nënkryetari Oerd Bylykbashi, njëherësh deputet i qytetit bregdetar, deklaroi se PD-ja kërkon nga Kushtetuesja të mos lejojë grabitjen e një pasurie publike, që sipas tij, i jepet kompanive offshore të lidhura me pushtetarët.

Pas padisë, kryeministri Rama akuzoi opozitën se ka krijuar një “aleancë rublash” kundër projektit. “Është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit, ndërkohë që tërbimi shpifarak është prova se i kanë bërë vetë tërë pisllëqet që akuzojnë!”, shkruan Rama në Twitter.