Momenti i arrestimit të atentatores së Stambollit, Turqia vë në diskutim aleancën me SHBA: Urdhri erdhi nga ata që mbështet Uashingtoni

Publikuar më: 14/11/2022, ora 11:35

Momenti i arrestimit të atentatores së Stambollit, Turqia vë në diskutim aleancën me SHBA: Urdhri erdhi nga ata që mbështet Uashingtoni

Publikuar më: 14/11/2022, ora 11:35

Turqia tha se urdhri për sulmin e së dielës në Stamboll, ku humbën jetën 6 persona dhe disa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, erdhi nga qyteti sirian Kobani, ku forcat turke kanë kryer operacione kundër militantëve kurdë YPG.

Policia turke publikoi pamjet e operacionit të arrestimit të gruas që dyshohet se kreu sulmin në bulevardin Istiklal të dielën. Përveç saj, janë arrestuar edhe 22 persona të tjerë, të gjithë si të dyshuar se kanë organizuar sulmin terrorist. Në pamje shfaqen forca të shumtë policie që futen në banesën ku ndodhej atentatorja e dyshuar, ndërsa iu sekuestruan edhe shuma të mëdha parash dhe sende të tjera me vlerë, si dhe armë.

Ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu, tha se bomba ishte nisur nga Kobani e kishte kaluar në Afrin, një tejtër qytet në veri të Sirisë. Ankaraja thotë se militantët e grupit YPG, të cilët kanë marrë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë luftës civile në Siri, janë krahu i armatosur i PKK, partisë kurde në Turqi, të shpallur si organizatë terroriste nga autoritetet turke, por edhe Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara.

“I refuzojmë ngushëllimet e ambasadës amerikane, nuk i pranojmë. Aleanca jonë me një shtet që dërgon para nga Senati i vet për këto grupe, duke ushqyer zonat e terrorit në Kobani, që synojnë të prishin paqen e Turqisë, është në një situatë të diskutueshme. Kjo shihet qartë dhe pastër”, tha ministri i brendshëm turk, Suleyman Soylu.

PKK ka qenë nismëtare e kryengritjeve separatiste ndaj shtetit turk që prej vitit 1984. Përgjatë përballjeve të shpeshta, mbi 40 mijë vetë kanë vdekur.

Menjëherë pas sulmit të së shtunës, në rrjetet sociale u shpërndanë video dramatike nga shpërthimi, ku dukeshin shumë trupa të gjakosur dhe të shtrirë në tokë.

Stambolli ka qenë shpesh shënjestër e militantëve kurdë, islamikë apo të ekstremit të majtë, më famëkeqi ai i dhjetorit të vitit 2016, kur 38 vetë vdiqën dhe 155 të tjerë u plagosën pas një shpërthimi në një stadium futbolli.