Rama: Koha e duhur për investime në bonot e thesarit dhe obligacionet

Publikuar më: 15/11/2022, ora 10:03

Rama: Koha e duhur për investime në bonot e thesarit dhe obligacionet

Publikuar më: 15/11/2022, ora 10:03

Qeveria ka një mundësi biznesi për shqiptarët: letrat me vlerë. Në një thirrje të rrallë drejtuar popullit, që ndodh kryesisht në periudha luftërash, kryeministri Rama nxiti investimin në bono thesari dhe obligacione. Kryeministri megjithatë nuk e mohoi interesin e shtetit që të kërkojë borxh nga qytetarët, kur interesat e borxhit po rriten gjithmonë e më shpejt.

“Në këtë kohë krizash globale dhe sfidash ekonomike të provokuara nga agresioni i Rusisë, është koha e duhur për investimet e individëve në bonot e thesarit dhe obligacionet. Prandaj edhe Banka e Shqipërisë ka rihapur sportelet e saj për t’ua bërë më të lehtë qytetarëve aksesin në këto investime. Këto investime janë me risk zero”, tha Rama.

Për ministren e Financave, kjo fushatë ndërgjegjësimi synon të rrisë peshën e individëve në letrat me vlerë nga 10% aktualisht në 15%, duke lehtësuar disi edhe interesat. Megjithatë, Ibrahimaj përjashtoi skenarët ku qeveria do të ketë vështirësi të marrë borxh.

Interesat e borxhit të qeverisë janë rritur, që pas nisjes së Luftës në Ukrainë, rritje që është përshpejtuar ndjeshëm muajt e fundit me nivelet rekord të inflacionit dhe shtrëngimin e politikës monetare. Nga 1.57% në fillim të vitit, interesi mesatar i bonove të thesarit në ankandin e fundit të zhvilluar arriti në 5.74%. Ndërkohë për një depozitë me afat 12-mujor, bankat tregtare ofrojnë sot një interes deri në 1.9%. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave në sistemin bankar arrin në 10.8 miliard euro, nga të cilat 8.3 miliard euro i takojnë qytetarëve.