Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Financimi i gjelbër, mbështetja e projekteve të blerta, jetik për ekonominë

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2022, 14:16 | Ekonomi
Financimi i gjelbër, mbështetja e projekteve të blerta, jetik

Për një ekonomi më të qëndrueshme, burimet duhet të drejtohen për nga financimi i gjelbër. Krahas bujqësisë dhe energjisë së rinovueshme ai përfshin të gjitha ato projekte që nuk dëmtojnë mjedisin.

Në një konferencë të organizuar nga AMF, rregullatorët dhe partnerët ndërkombëtare theksuan se sa i rëndësishëm është ky ndryshim mendësie.

“Ne duam që gjërat të mbeten njëlloj: duam që burimet natyrore të Shqipërisë të mos ndryshojnë, duam që bregdeti dhe lumenjtë të mbeten njëlloj, duam qëndrueshmëri të këtyre burimeve. Ne duam gjithashtu të kemi qëndrueshmëri të rritjes ekonomike, duam një rrugë të qartë drejt rritjes më të mirë, vendeve më të mira të punës, mundësive më të mira. Ne duam që gjërat të mbeten të qëndrueshme dhe të sigurta. Por kjo nënkupton se ne duhet të ndryshojmë”, tha Emanuel Salinas, Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.

“Lajmi i mirë është se mobilizimi i financimit të gjelbër ka nisur pak në Shqipëri. Bankat kanë nisur të integrojnë faktorët mjedisorë në operacionet e tyre, veçanërisht në fusha si energjia e rinovueshme, përmirësimi i eficiencës energjetike dhe sektori bujqësor. Por më shumë duhet bërë për t’i rritur në shkallë këto veprimtari. Të tjera segmente të sektorit financiar, si bursa dhe fondet e investimit mund të luajnë një rol në gjelbërimin e ekonomisë”, tha Ruth Huber, Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se agjenda e gjelbër do të integrohet edhe në hartimin e buxhetit, si për përzgjedhjen e projekteve, ashtu edhe për mënyrën e financimit. Por ministrja Frida Krifca vëren se sektori financiar nuk po e mbështet mjaftueshëm bujqësinë. Sipas saj, krahas projekteve që bashkëfinancohen nga programi IPARD dhe skemat kombëtare, bankat i druhen kreditimit të fermerëve, teksa huatë me probleme për këtë sektor janë shumë të ulëta.

Financimi i gjelbër është një trend në rritje në Europë, për faktin se investitorët fitojnë para me ndërgjegjen e pastër se po bëjnë njëkohësisht mirë për ambientin. Ky mekanizëm i ri financimi është shumë tërheqës dhe shpesh ofron interesa më të ulëta se financimi tradicional.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu