Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Inceneratori i Fierit, lëshohen 10 urdhërarreste të tjera

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2022, 11:56 | Kronikë
Inceneratori i Fierit, lëshohen 10 urdhërarreste të tjera

Policia e Shtetit po ekzekuton disa urdhërarreste të lëshuara nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK për llogari të hetimit të inceneratorit të Fierit. Sipas burimeve, në total janë 10 urdhërarreste.

Pesë prej tyre, rezulton të jenë jashtë territorit shqiptar. Paralelisht po operohet edhe me kontrollin e disa banesave.

Masat e arrestit janë dhënë për Juri Ymerajn, Arbër Denizin, Silvestër Drezën, Gentian Ziflën, Enver Sheshin, Arjola Kodrën, Robert Shabanin, Regan Merdanin, Luran Dushën, Arben Dervishajn.

Për inceneratorin e Fierit janë arrestuar më parë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako.

SPAK pretendon se ish-ministri Koka, ish-sekretari i përgjithshëm Bllako dhe Kryetari i Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi, kanë paraqitur dokumente false në Këshillin e Ministrave, duke pretenduar se toka ishte “tokë truall”, në një kohë që në të vërtetë ishte “tokë arë”.

Bazuar në dokumentet false, qeveria ka lëvruar fondin prej 46 milionë lekë të rinj për shpronësimin, duke shkaktuar gati 16 milionë lekë dëm në buxhet. Për mënyrën e lëvrimit të fondeve shtetërore për korrupsionin në Inceneratorin e Fierit kompania koncensionare “Integrated Technology Waste Treatment Energy” sh.p.k. dhe kompania zbatuese “Integrated Technology Services” sh.p.k. kanë përdorur një skemë të njëjtë me atë të Inceneratorit të Elbasanit.

Inceneratori i Elbasanit

Prej pak ditësh, SPAK i dha fund hetimit edhe për inceneratorin e Elbasanit. Pas biznesmenëve Klodian Zoto dhe Steta Gugallja, të shpallur në kërkim për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, SPAK ka ngritur dyshime edhe për biznesmenin Mirel Mërtiri. Sipas SPAK, nga hetimi i rastit provohet fakti dhe krijohet bindja se Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto kanë konsumuar veprat penale të “korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, kryer në bashkëpunim dhe “pastrim i parave”.

Fakti del në dritë në aktakuzën e ngritur dhe komunikuar zyrtarisht nga SPAK ndaj ish-ministrit Lefter Koka, të akuzuar për “korrupsion”, “shpërdorim detyre” e “pastrim të parave” dhe dy biznesmenëve Zoto e Gugallja.

Referuar dokumentit të siguruar nga A2 CNN, SPAK ka rënduar pozitën penale edhe për ish-deputetin Alqi Bllako. Ndonëse po qëndron në qeli si i dyshuar për inceneratorin e Fierit, Bllako dyshohet nga Prokuroria e Posaçme edhe për atë të Elbasanit. SPAK akuzon ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit për “shpërdorim të detyrës”, në bashkëpunim me ish-eprorin e tij, Lefter Koka, si edhe pesë anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit.

Burime zyrtare të SPAK nuk i dhanë përgjigje interesimit të A2 CNN nëse Bllako është marrë i pandehur për llogari të inceneratorit të Elbasanit, duke përdorur si argument sekretin hetimor. Nga ana tjetër, Prokuroria apo Gjykata e Posaçme nuk kanë njoftuar, deri më tani, caktimin e një mase sigurie ndaj biznesmenit Mërtiri.

https://a2news.com/2022/03/30/inceneratoret-si-u-ngrit-afera-korruptive/
https://a2news.com/2022/11/15/inceneratori-i-elbasanit-spak-nxjerr-ne-skene-mirel-mertirin-rendohet-pozita-e-bllakos/

A2 CNN Livestream

Dita jonë