Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Inceneratori i Fierit, SPAK jep detaje për të arrestuarit dhe personat në kërkim

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2022, 13:22 | Kronikë
Inceneratori i Fierit, SPAK jep detaje për të arrestuarit dhe personat

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka dhënë detaje në lidhje me lëshimin e 10 urdhërarresteve dhe një mase arrest shtëpie për inceneratorin e Fierit.

Këta persona akuzohen për veprat penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”,“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

“Së pari, nga hetimet kanë rezultuar të dhëna se nga Autoriteti Kontraktor (Ministria e Mjedisit në fillim dhe më pas Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë) deri në datën 30.06.2022, janë bërë pagesa në drejtim të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, në shumën 4, 202, 967, 084 (katërmiliard e dyqind e dy milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e tetëdhjetë e katër) lekë.

Rezulton se nga ana e shtetasit Klodian Zoto, aksioner kryesor i shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier”sh.p.k, në bashkëpunim me shtetasin Arenc Myrtezani,  administrator i kësaj shoqërie, janë pasqyruar dhe përdorur situacione të falsifikuara në vlerën 4,000,000 (katërmilion) Euro, për shërbime që nuk janë kryer, vlerë e paguar nga Autoriteti Kontraktor dhe e përfituar në sajë të mashtrimit nga shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k.

Shtetasi Arben Dervishaj, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., ka miratuar dhe më pas pasyqyruar/dorëzuar pranë Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Mjedisit/Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, situacione për punime fiktive të shoqërisë koncesionare, për shërbime që nuk janë kryer dhe pajisje që nuk janë realizuar në zbatim të kontratës koncesionare, ku në sajë të mashtrimit janë siguruar përfitime për shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, në vlerën 4,000,000 (katër milion) Euro, veprime në kundërshtim me ligjin  nr. 8402, datë 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar, si dhe Udhëzimin e Këshillit të Ministrave, nr.3, datë 15.02.2001, “Për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve të ndërtimit”, i ndryshuar.

Gjithashtu, shtetasi Arben Dervishaj, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, ka marrë përfitime të parregullta  nga shtetasi Klodian Zoto, aksioner kryesor i shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, që kanë konsistuar në përfitime të vlerës së udhëtimeve të tij private për jashtë shtetit, biletave të avionit, qëndrimit në hotele dhe të biletave të ndeshjeve të futbollit në stadium në Itali.

Së dyti, nga hetimet e kryera  kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer  në fillim me funksionin e lartë shtetëror, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt propozimit dhe marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë. Kjo vlerë përfitimi është siguruar në trajtën e pagës së dhënë babait të tij, Edmond Bllako, duke e paraqitur si i punësuar “Drejtor Kantieri” tek shoqëria koncesionare e ndërtimit të Inceneratorit të Tiranës “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, në pagën mujore 6000 (gjashtë mijë) euro, pagesa të realizuar për periudhën tetor 2018 deri në janar 2020.

Rezulton se administratorët e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” (ku edhe këtu shtetasi Alqi Bllako ka patur rolin e tij në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit) nëpërmjet veprimeve të kundraligjshme të tyre, e kanë pasqyruar si të punësuar shtetasin Edmond Bllako, duke bërë pagesa fiktive për shtetasin Edmond Bllako, ndërkohë që rezulton e provuar se këto pagesa janë përfitime të parregullta nga shtetasi Alqi Bllako.

Së treti, nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga shoqëritë “Integrated Technology Waste Treatment Energy” sh.p.k., (shoqëria që ka përfituar koncesionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncesionit) janë pranuar fatura tatimore shitjeje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer. Shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga disa shoqëri të tjera në total në vlerën vlerën e përfituar në mënyrë të paligjshme në shumën 146,083,071 (njëqind e dyzet e gjashtë milion e tetëdhjetë e tre mijë e shtatëdhjetë e një) lekë.

Gjatë hetimeve kanë rezultuar të dhëna që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shuma monetare 146,083,071 lekë që i është faturuar shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., dhe që është paguar më pas nga kjo shoqëri, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish-Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”.

Shtetasi Klodian Zoto, në cilësinë e aksionerit tek shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, në bashkëpunim me administratorët e shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

Këto pagesa të përfitimit të parregullt janë bërë nga shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, nëpërmjet transaksioneve fiktive në drejtim të shoqërive “Pivot 04” sh.p.k, dhe “J.P.Y” sh.p.k.

Së katërti, nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se shtetasit, Klodian Zoto, Arenc Myrtezani, Regan Merdani, Gentian Zifla, Enver Sheshi, Robert Shabani, kanë organizuar dhe vënë në funksionim skema mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar, me qëllim fitimin material për llogari të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, që ka konsistuar në përfitimin e kreditimit të tatimit mbi vlerën e shtuar. Rezulton se gjatë periudhës 01.03.2017-01.05.2017, shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, ka realizuar blerje fiktive nga shoqëritë “Best Services” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Robert Shabani, “Froggy”sh.p.k, me administrator Regan Merdani, “Frogy 03” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Robert Shabani, “Itneg”sh.p.k, me administrator Gentian Zifla; “Leli-17”sh.p.k, me administrator Enver Sheshi; “Pupa Services” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Regan Merdani; “R.B-General Servis” sh.p.k, me përfaqësues ligjor Regan Merdani dhe “R.S.I&T Group” sh.p.k, me administrator Robert Shabani, në vlerën totale 359,490,120 (treqind e pesëdhjetë e nëntë milion e katërqind e nëntëdhjetë mijë e njëqind e njëzet) lekë.

Nga hetimi ka rezultuar se nga kreditimi i TVSH-së, bërë nëpërmjet faturimeve fiktive, i është shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit, në vlerën totale 59,915,020 (pesëdhjetë e nëntë milion e nëntëqind e pesëmbëdhjetë  mijë e  njëzet) lekë.

Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.82, datë 11.11.2022 të Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, janë miratuar 11 (njëmbëdhjetë) masa sigurimi personale, nga të cilat 10 (dhjetë) masa sigurie “arrest në burg” dhe 1 (një) masë sigurie “arrest në shtëpi”.

Masat e sigurisë personale janë miratuar për veprat penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, në bashkëpunim, “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”,“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, parashikuara nga nenet 143/3, 25, 144/a, 25, 245, 25, 248, 259, dhe neni 287, gërmat (a) dhe (b) të Kodit Penal, e kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim” sipas nenit 287, paragrafi (2) i Kodit Penal”.

https://a2news.com/2022/03/30/inceneratoret-si-u-ngrit-afera-korruptive/
https://a2news.com/2022/11/15/inceneratori-i-elbasanit-spak-nxjerr-ne-skene-mirel-mertirin-rendohet-pozita-e-bllakos/

A2 CNN Livestream

Dita jonë