Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Raketa mbi Poloni, Zelensky: “Nuk e hodhëm ne”. Biden e kundërshton

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2022, 19:58 | Bota
Raketa mbi Poloni, Zelensky: “Nuk e hodhëm ne”. Biden e

Pavarësisht deklaratave të NATO-s, Shteteve të Bashkuara dhe Polonisë, se raketa që ra mbi Poloni nuk ishte hedhur nga Rusia, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky vijon të këmbëngulë të kundërtën. Ai pretendon se komandantët e ushtrisë së Kievit e kishin siguruar se Ukraina nuk kishte përgjegjësi për raketën që shkaktoi 2 viktima në Poloninë anëtare të NATO-s. “Nuk kam dyshime”, thekson Zelensky teksa kërkoi që zyrtarët ukrainas të bëhen pjesë e hetimeve në vendin e ngjarjes.

“Pozicioni ynë është shumë transparent; ne jemi të përkushtuar të dalë në dritë çdo detaj, çdo fakt. Prandaj specialistët tanë duhen lejuar t’i bashkohen hetimeve ndërkombëtare dhe të kenë qasje ndaj të gjitha të dhënave në dispozicion në zonën e shpërthimit”, tha ai.

“Nuk kam asnjë arsye të dyshoj. Komandanti i Forcave Ajrore më dorëzoi mua personalisht një raport për këtë, gjithashtu edhe komandantit të përgjithshëm Zaluzhnyi. Nuk kam dyshim se nuk ka qenë raketa jonë dhe as sulm nga ne. Nuk kam arsye të dyshoj raportin e komandantit. Luftën e kemi bërë bashkë. Qëndrimi im është i thjeshtë. Ju lutem na lejoni që të vizitojmë vendin e ngjarjes. Kjo do të ishte diçka e drejtë. Besoj se është e drejta jonë që të jemi aty. Derisa ky hetim të përmbyllet, ju lutem le të përmbahemi nga konkluzionet përfundimtare. Kjo është diçka e drejtë. Ne duhet të jemi pjesë e grupeve të përbashkëta të hetimit, apo jo? Veçanërisht nëse bëhet fjalë për të na fajësuar.”

Por presidenti amerikan Joe Biden, i cili ishte mes të parëve që shfajësoi Rusinë për ngjarjen në fjalë, kundërshtoi deklaratën e presidentit Zelensky se raketa nuk ishte ukrainase. Ngjarja nxiti frikën për përshkallëzim të rrezikshëm të konfliktit, por presidenti polak Andrej Duda deklaroi se me shumë gjasë raketa ishte lëshuar nga mbrojtja antiajrore e Ukrainës.

Edhe shefi i NATO-s bëri një pohim të ngjashëm, por duke theksuar se përgjegjësia kryesore bie mbi Rusinë e cila nisi luftën brutale kundër Ukrainës. Ambasadorja e SHBA në OKB tha se Ukraina ka të drejtën të mbrojë veten gjatë një mbledhje të këshillit të sigurisë. “Nuk i dimë të gjithë faktet, por tragjedia nuk do të kishte ndodhur nëse Rusia nuk do të kishte ndërmarrë valën e sulmeve kundër infrastrukturës kritike të Ukrainës”, tha LindaThomas-Greenfield.

Pas incidentit të së martës Polonia ka rritur nivelin e gatishmërisë së disa njësive të forcave të armatosura, por thekson se nuk e konsideron veten një objektiv të Rusisë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë