“Subashi e Veliaj përgjegjës për inceneratorët e Fierit dhe Tiranës”, Kryemadhi: Vepruan me urdhër të Ramës

Publikuar më: 16/11/2022, ora 20:23

“Subashi e Veliaj përgjegjës për inceneratorët e Fierit dhe Tiranës”, Kryemadhi: Vepruan me urdhër të Ramës

Publikuar më: 16/11/2022, ora 20:23

“Përgjegjësia për inceneratorin e Fierit dhe të Tiranës është e kryebashkiakut Armando Subashi dhe Erjon Veliajt, të cilët mbrohen nga kryeministri Edi Rama, pasi ai është pronar i inceneratorëve”. Këtë qëndrim ndau në studion e Debatit në A2 CNN, ish-kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, pas 11 urdhër-arresteve që çuan në pranga 5 persona të përfshirë në këtë aferë, ndërsa 6 të tjerë vijojnë të jenë në kërkim, pas dyshimeve të prokurorisë se kanë marrë shuma deri në 4 milionë euro për të raportuar punime të pakryera.

“SPAK pavarësisht se ka kryer një veprim sot, ka nxjerrë 11 urdhër arreste, pika kyçe e inceneratorit të Fierit, është rasti  i kreu i Bashkisë së Fierit, është ai që ka bërë pagesën apo ka marrë përgjegjësinë për të paguar tokën arë në truall duke shkaktuar dëm financiar prej 460 milionë lekësh buxhetit të bashkisë Fier. Armando Subashi ka lëvruar paratë. Ka kryer dëmin ekonomik. Nëse thotë se ka marrë urdhër nga kryeministri, të reagojë SPAK. Kush është personi që i ka dhënë urdhër edhe a ka shkresë për këtë”.

Por Kryemadhi ngre zërin për inceneratorin e Tiranës, një çështje sipas saj që po e bën pis SPAK-un me mosveprimin e tij. Sipas saj është e paimagjinueshme të thirret Erjon Veliaj në SPAK.

“Për inceneratorin e Tiranë paguajmë 29 euro për ton. Janë mbi 620 ditë që vazhdohet dhe paguhet për të. Pjesa tjetër është që gjëja e parë që duhet të bëjë SPAK së bashku me gjykatat. Ajo që të bën përshtypje shmangia e kreut të Bashkisë së Fierit sikurse po ndodh me atë të Tiranës. Çështja e inceneratorit të Tiranës po e bën pis, SPAK se po e bën bashkëpunëtor në ndarjen e parave. Për mua është edhe vepra  e pastrimit të parave në funksion të veprave kriminale. Sekuestro e inceneratorit të Tiranës, e pakta që mund të bëjë është bllokimi i pagesave për inceneratorin e Tiranës dhe ta marrë në administrim një administrator si me raste te inceneratorit të Fierit e Elbasanit. Janë njerëz të ngushtë afër qeverisë si Faradin Arapi dhe burri i Adriana Berberit. Edhe në këtë rast një nga këta mund të ishte administrator i inceneratorit të Tiranës paratë të shkojnë në buxhet të Bashkisë dhe të kthehen në funksion të qytetarëve. Ndërsa janë para që shkojnë te koncensionari në vend që të shkojnë te Bashkia e Tiranës. SPAK këtu të jetë i pavarur nga vendimet politike. Unë e di që të thërrasësh Veliajn në SPAK, është si të thërrasësh prokurorin e përgjithshëm apo kreun e SPAK që nuk e bën asnjeri”.

Sipas Kryemadhit si Veliaj dhe Subashi kanë vepruar me urdhër të Ramës dhe është e vetmja dosje ku kreu i qeverisë kapet në flagrancë.

“Inceneratori i Tiranës dhe Fierit vjen nga bashkëpunimi i ngushtë që kanë Veliaj e Subashi me Ramën. Subashi artikulon që vendimi për të bërë pagesën për tokën arë 460 milionë lekë dëm ekonomik thotë që e kam me urdhër nga kryeministri. Rama është pronar dhe është e vetmja dosje që kemi kryeministrin të kapur në flagrancë dhe kryetarin e bashkisë”.