Akuzohet në vendlindje për mashtrim me kriptovaluta me vlerë 2 miliardë dollarë, Gjykata vendos të ekstradojë turkun

Publikuar më: 17/11/2022, ora 15:54
Faruk Fatih Ozer turk kripto gjykate 1 1038x720

Akuzohet në vendlindje për mashtrim me kriptovaluta me vlerë 2 miliardë dollarë, Gjykata vendos të ekstradojë turkun

Publikuar më: 17/11/2022, ora 15:54

Gjykata e Elbasanit vendosi që shtetasi turk, Faruk Fatih Ozer, të ekstradohet në Turqi, ku akuzohet për mashtrim me vlerë miliarda dollarë me kriptomonedhat. Në seancë, nuk ishin të pranishëm as i akuzuari Ozer, as avokati i tij. Ai u arrestua më 30 gusht në Shqipëri.

27-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga autoritetet turke të drejtësisë për vjedhjen përmes mashtrimit të gati 2 miliardë dollarëve amerikanë në monedhën elektronike Bitcoin.

Faruk Fatih Ozer u arratis nga Turqia me 2 miliardë dollarë, të cilat i kishte fituar duke mashtruar dhjetëra mijëra turq, të cilët kishin investuar paratë e tyre në platformën virtuale turke “Thodex”. Ai kishte mashtruar rreth 360 mijë përdorues të kompanisë së tij “Thodex”.

Faruk Ozer rezultoi të ishte futur në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar të Rinasit më 20 prill të vitit të shkuar, ndërkohë që dolën dhe pamje filmike nga momenti kur ai u akomodua në një prej hoteleve të kryeqytetit, nga një shtetas shqiptar, i cili ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të veprës penale që kishte kryer biznesmeni turk.

Prokuroria turke ka mbyllur në prill të këtij viti dosjen hetimore në ngarkim të bosit të kompanisë së kriptomonedhave “Thodex”, Faruk Fatih Ozer, duke e çuar atë në gjykatë. Ozer dhe tre bashkëpunëtorët e tij akuzohen se kanë ngritur një skemë mashtrimi duke futur në të dhjetëra mijëra turq që menduan të investonin në kriptomonedha përmes kësaj platforme.