Prokuroria: Lear Kurti ndërroi jetë nga mbidoza e kokainës

Publikuar më: 17/11/2022, ora 09:35

Prokuroria: Lear Kurti ndërroi jetë nga mbidoza e kokainës

Publikuar më: 17/11/2022, ora 09:35

Lear Kurti, i riu i cili vdiq në rrethana të paqarta teksa po shoqërohej nga policia, ndërroi jetë nga mbidoza e kokainës. Kështu thotë raporti zyrtar i mjekësisë ligjore, i bërë publik, këtë të enjte, nga Prokuroria e Tiranës.

“Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjekoligjor, përcaktohet diagnoza Anatomo-Patologjike: Mbidozim (Helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkrisë, hepatit kronik persistent.

Shkaku i vdekjes së shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës)”.

Prokuroria e Tiranës

Lear Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e 19 tetorit të këtij viti, pak minuta pasi u shoqërua nga një patrullë policie. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore tha fillimisht se 32-vjeçari ndërroi jetë në Spitalin e Traumës, por ky institucion deklaroi më pas se Kurti kishte mbërritur i pajetë aty.

Kush ishte Lear Kurti?

I braktisur që në lindje në shtëpinë e fëmijës, 2-vjeçari do të merrej nga Artur Isai dhe bashkëshortja e tij për t’i dhënë një familje deri mbrëmjen e djeshme që humbi jetën tragjikisht. Edhe pse i rritur në një nga zonat problematike të ish-parkut të autobusëve, Lari, siç e thërrisnin shokët e tij, nuk ishte djalë i përfshirë në ngjarje kriminale.

Çfarë tha Policia pas ngjarjes?

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në informacion e saj tha se të gjitha veprimet e policisë kanë qenë konform rregullave, ndërsa në trupin e të riut nuk janë konstatuar shenja dhunë, veç ato të vendosjes së prangave. Kamerat e sigurisë tregojnë se efektivët e kanë mbajtur të riun 7 minuta para se ta shoqëronin deri në komisariat ku nuk është ndjerë mirë, ndërsa ndryshe nga sa u përmend në fillim se humbi jetën në spital, pranohet se Kurti mbërriti i pajetë në spitalin e Traumës. Disa ditë më pas, 3 policë të patrullës së përgjithshme të komisariatit numër 3 – që kanë qenë në detyrë në momentin kur kanë ndaluar të ndjerin – u pezulluan nga detyra.