Gjeografia e pushimeve në shtator, shqiptarët preferuan jugun, gjysma e të huajve qëndruan në Tiranë e Durrës

Publikuar më: 18/11/2022, ora 15:21

Gjeografia e pushimeve në shtator, shqiptarët preferuan jugun, gjysma e të huajve qëndruan në Tiranë e Durrës

Publikuar më: 18/11/2022, ora 15:21

Rreth 130 mijë shqiptarë që fjetën së paku një natë në shtëpi me qira, hotele apo bujtina, vijuan pushimet edhe në shtator. Të dhënat e Institutit të Statistikave mbi gjeografinë e akomodimit tregojnë se në muajin që shënjon nisjen e vjeshtës, 44 për qind e rreth 130 mijë pushuesve vendas qëndruan kryesisht në Vlorë e Sarandë, 37 për qind në Tiranë, Durrës apo Elbasan dhe pjesa tjetër në veri të vendit.

Të tjera shije shfaqin të huaj. Rreth 47 për qind e tyre preferojnë Shqipërinë e mesme, 30 për qind veriun, zonat malore të vendit dhe vetëm 23 për qind jugun.

Pjesa më e madhe e atyre që kaluan minimalisht një natë në struktura akomoduese ishin nga Kosova, duke u ndjekur nga Polonia me rreth 14 për qind të totalit, Italia 8 për qind, Gjermania dhe Maqedonia e Veriut.

Mirëpo të dhënat e INSTAT tregojnë se vetëm një pjesë e vogël e të huajve që hynë në vend u akomoduan. Nga totali i mbi 760 mijë të ardhurve pak më shumë se 110 mijë apo thënë ndryshe 14.5 për qind e totalit fjetën në strukturat akomoduese.

Pozitivja është se paralelisht me rritjen e numrit të turistëve, po shtohen edhe net-qëndrimet e atyre që vijnë nga jashtë, si dhe pushuesve vendas. Ndërkohë, sipas ekspertëve, ka ardhur koha për të investuar në shtimin e kapaciteteve akomoduese.