Porti i Durrësit, Rama: Do t’i ndajmë faktet me shqiptarët

Publikuar më: 19/11/2022, ora 09:44

Porti i Durrësit, Rama: Do t’i ndajmë faktet me shqiptarët

Publikuar më: 19/11/2022, ora 09:44

Kryeministri Edi Rama reagoi me një seri Twitter-ash mëngjesin e sotëm, në mbrojtje të projektit për Portin e Durrësit. Ai e cilësoi fat, nder dhe mundësi të paçmuar angazhimin si partner të shtetit të një prej kompanive më prestigjioze të Lindjes së Mesme dhe një prej investitorëve më të vlerësuar në industrinë globale të turizmit. 

“Investimi më i madh i huaj në rajon, që do të transformojë Durrësin e Shqipërinë dhe do impaktojë drejtëpërdrejtë ekonominë kombëtare, trajtohet si aferë katundi për pula, ndërsa kontrata më gjatë e negociuar e shtetit shqiptar me një palë tjetër, lexohet si defter hallvaxhinjsh”, shkruan Rama në rrjetin social.

Ai e quan me vlerë ortakërinë e shtetit në masën 33% në një kontratë të negociuar gjatë, duke përjashtuar si mundësi ligjin e Shqipërisë “1 Euro”, siç, sipas tij, do kishin bërë demokratët që sot akuzojnë. Kreu i qeverisë tregoi padurim deri në seancën plenare të javës që vjen, ku do të diskutohet për Portin e Durrësit: “Aty të gjitha faktet do t’i ndajmë mirë e mirë me shqiptarët, se me të shiturit për rubla e me urrejtësit profesionistë të banaqeve mediatike, s’ka të bardhë që nuk kthehet në të zezë dhe s’ka diell që nuk mbulohet me shoshë”.

Marrëveshja për Portin e Durrësit kaloi me procedurë të përshpejtuar, duke provokuar debate dhe më të forta në javën që po lëmë pas, ndërsa Partia Demokratike dorëzoi një padi në Gjykatën Kushtetuese.