Banka Botërore: Buxheti për fatkeqësitë natyrore, i pamjaftueshëm

Publikuar më: 21/11/2022, ora 17:14

Banka Botërore: Buxheti për fatkeqësitë natyrore, i pamjaftueshëm

Publikuar më: 21/11/2022, ora 17:14

Prej muajsh kishim kthyer sytë nga qielli duke pritur shiun që do të përmirësonte situatën energjetike në vend. Lutjet u dëgjuan fundjavën që lamë pas, por nuk ishim tërësisht të përgatitur dhe jo çdo gjë shkoi sipas planit.

Prurjet ishin më të mëdha nga sa kaskada mund të përballojë dhe pasojat po ndihen në mijëra hektarë tokë bujqësore të përmbytura, dhjetëra familje të evakuuar, në rrugë të bllokuara dhe fatkeqësisht edhe me dy viktima.

Shqipëria rezulton si vendi më i ekspozuar në Europë nga fatkeqësitë natyrore. Baza e të dhënave ndërkombëtare të fatkeqësive tregon se gjatë 40 viteve të fundit, përmbytjet përbëjnë 38 për qind të gjithë këtyre rasteve.

Por pavarësisht bilanceve të përvitshme të përmbytjeve, një raport i Bankës Botërore zbulon se Shqipëria nuk ka zhvilluar plotësisht një vlerësim paraprak të riskut nga përmbytjet, ndërsa edhe buxheti për fatkeqësitë natyrore vlerësohet si i pamjaftueshëm.

Gjatë vitit 2022, sipas pagesave të Thesarit, janë shpenzuar vetëm rreth 150 milionë lekë për mirëmbajtjen e disa hidrovoreve, si ai i Karavastasë, ndërsa një pjesë e fondeve janë përdorur për monitorimin e hidrovoreve me sistem kamerash. 144 milionë lekë rezultojnë të paguara për mirëmbajtjen e argjinaturave.

Sipas vetë relacionit të buxhetit për vitin e ardhshëm, vlerësohet se vetëm 57% e hidrovoreve të nevojshëm janë rehabilituar apo ndërtuar. Ndërsa veprat e mbrojtjes nga përmbytja, si argjinaturat gjatësore dhe panelet tërthorë janë vetëm 105 kilometra, nga 300 kilometra të nevojshme.