Moti i keq në Kosovë, përmbytje e vështirësi në qarkullim në disa komuna

Publikuar më: 21/11/2022, ora 10:26
KOSOVA PERMBYTJET frame 158 1280x720

Moti i keq në Kosovë, përmbytje e vështirësi në qarkullim në disa komuna

Publikuar më: 21/11/2022, ora 10:26

Reshjet e dendura të shiut që vijojnë prej tri ditësh në Kosovën kanë sjellë vërshime dhe probleme në qarkullim në disa komuna.

Në komunën e Junikut, shirat e dendur kanë rritur nivelin e lumit Erenik, duke përmbytur disa zona. Problematike situata paraqitet edhe në Vushtrri, ku ka vazhdimisht raportime për qytetarë që po përballen me vështirësi.

Situata më e rënduar sipas autoriteteve rajonale, është në rrugën Prishtinë-Mitrovicë.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook tha se si pasojë e reshjeve të shiut ura në fshatin Vranoc të Vogël ka pësuar dëmtime të mëdha dhe është e pakalueshme.

Edhe në komunën e Pejës, uji mbuloi rrugë e lagje të tëra, por drejtori për Mbrojte dhe Shpëtim Gëzim Gashi deklaroi se situata është nën kontroll nga ekipet emergjente. Në Istog, vërshimet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonomitë familjare, biznese e bujqësi.

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, tha se po monitorojnë më kujdes situtatën rreth vendit, ndërsa ekspertët parashikojnë se reshjet me intensitet dhe shtrirje të ndryshme territoriale pritet të vazhdojnë edhe gjatë së hënës.