Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

“Vallëzimi i fundit” për Ronaldon dhe Messin

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2022, 14:42 | Futboll
“Vallëzimi i fundit” për Ronaldon dhe Messin

“Vallëzimi i fundit” për Ronaldon dhe Messin

Ata kanë thyer çdo rekord, por a do të mund të arrijnë të fitojnë Kupën e Botës?

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë lënë një trashëgimi si pak të tjerë në futboll. Rivalë prej gati 15 vitesh, dy sulmuesit e mëdhenj kanë fituar gjithçka në karrierën e tyre, përveç kupës së artë për të cilën luhet një herë në katër vite. Të dy kanë luajtur në Kupën e Botës 2006, 2010, 2014 dhe 2018, por asnjëri nuk ka arritur të dalë fitimtar. Argjentinasi i shkoi më afër në vitin 2014, por kombëtarja e tij u mund në finale nga Gjermania.

Botërori “Katar 2022” me shumë gjasa do të jetë i fundit për të dy. Messi e ka deklaruar se nuk do të luajë më në Kupën e Botës, ndërsa Ronaldo do të jetë mbi 40 vjeç në turneun e ardhshëm.

“Katar 2022” është mundësia e fundit e dy legjendave të këtij sporti për të shënuar emrat e tyre në historinë e Botërorëve dhe për të zgjidhur (ndoshta) një herë e përgjithmonë debatin se cili është lojtari më i mirë nga të dy.

Më poshtë shihni historikun e rivalitetit mes tyre, nga debutimi si profesionistë, deri në përballjen e mundshme në “Katar 2022”.

Gusht 2002: Ronaldo debuton si profesionist në moshën 17-vjeçare, me Sporting Lisbona.

Gusht 2003: Ronaldo luan ndeshjen e parë me Portugalinë në moshën 18-vjeçare, si zëvendësues kundër Kazakistanit.

Tetor 2004: Vetëm 17 vjeç, Messi luan ndeshjen e parë për Barcelonën. Në total do të luajë 778 me katalanasit.

Gusht 2005: Debuton me Argjentinën, në moshën 18-vjeçare, në një miqësore kundër Hungarisë, por del me karton të kuq pas 2 minutash lojë.

Qershor 2006: Ronaldo shënon golin e parë (nga 7 në total në 4 turne), në moshën 21-vjeçare, lojtari më i ri portugez që shënon në një Botëror.

Qershor 2006: Messi bëhet lojtari më i ri që vesh fanellën e Argjentinës në Botëror dhe shënon pas 13 minutash lojë golin e tij të parë në turne.

Prill 2007: Messi shënon ndoshta golin më të bukur të karrierës së tij, duke dribluar gjysmën e lojtarëve të Getafes. Në total shënon 672 gola me Barcelonën.

Maj 2009: Messi udhëheq Barcelonën në fitoren e finales së Champions League kundër Manchester United-it të Ronaldos. Argjentinasi shpallet golashënuesi i turneut.

Korrik 2009: Ronaldo kalon nga Manchester United te Real Madrid për 130 milionë dollarë, rekord botëror për atë vit.

Nëntor 2009: Pas fitores së tripletës me Barcelonën, 22-vjeçari bëhet argjentinasi i parë që fiton Topin e Artë.

Dhjetor 2009: Ronaldo fiton trofeun “Puskas” për golin më të mirë, me një gjuajtje nga 36 metra, me një shpejtësi mbi 100 kmh, në ndeshjen Manchester United-Porto.

Korrik 2010: Argjentina eliminohet në Kupën e Botës nga Gjermania në çerekfinale. Messi bëhet pjesë e skuadrës së turneut, por akuzohet se luan më shumë për klubin, sesa për kombëtaren.

Prill 2011: Revista “Time” vlerëson Messin si një prej njerëzve me më shumë ndikim në botë për të dytin vit radhazi.

Mars 2012: Në moshën 24-vjeçare, Messi thyen rekordin e golave te Barcelona, me 91 gola në një vit kalendarik.

Prill 2014: Revista “Time” fut Ronaldon në listën e 100 njerëzve me më shumë ndikim në botë.

Korrik 2014: Argjentina humbet kundër Gjermanisë në finalen e Kupës së Botës. Messi shpallet 4 herë njeriu i ndeshjes gjatë turneut dhe fiton “Topin e Artë” të kompeticionit, me 7 gola të shënuar.

Nëntor 2014: Messi bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e kampionatit spanjoll pas një triplete kundër Sevilla-s, duke thyer rekordin e Telmo Zarra me 251 gola.

Qershor 2015: Një galaksi në univers pagëzohet me emrin “CR7”, pasi Ronaldo shënon 61 gola në 54 ndeshje të luajtura.

Tetor 2015: Ronaldo bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e Real Madrid, me 324 gola të shënuar. Kur u largua, kishte shënuar 450 gola në vetëm 438 ndeshje.

Qershor 2016: Një gol në Copa America e bën Messin golashënuesin më të mirë të kombëtares së tij. Pas humbjes në finale, njoftoi tërheqjen, vendim nga i cili u tërhoq pas lutjeve nga Presidenti i Argjentinës.

Korrik 2016: Ronaldo fiton Kampionatin Europian me Portugalinë, por dëmtohet pas 25 minutash në finalen kundër Francës.

Korrik 2016: Messi dënohet fillimisht me 21 muaj burg për evazion fiskal, por në fund gjobitet me 2,3 milionë dollarë.

Prill 2017: Ronaldo shënon tripletë kundër Bayern Munchen dhe bëhet lojtari i parë që realizon 100 gola në Champions League.

Mars 2018: Messi shënon golin e 100-të në Champions League, në më pak ndeshje se Ronaldo. Vetëm ata të dy e kanë arritur këtë rekord.

Maj 2018: Ronaldo bëhet lojtari i parë që fiton 5 herë Champions League-n. (1 me Manchester United në vitin 2008, 4 me Real Madrid në vitet 2014, 2016, 2017 dhe 2018).

Qershor 2018: Në Kupën e Botës në Rusi, Ronaldo bëhet lojtari i parë që shënon gol në 8 turne të mëdhenj (Euro dhe Botëror) radhazi.

Korrik 2018: 33-vjeçari Ronaldo firmos për Juventus pasi u ble për 117 milionë dollarë.

Tetor 2018: Akuzohet për përdhunim nga Kathryn Mayorga, e cila pretendon se paguar 375 mijë dollarë për të mos folur. Më vonë çështja mbyllet. Ronaldo i mohon akuzat.

Korrik 2019: Messi merr karton të kuq në minutën e 37-të të ndeshjes për vendin e tretë në Copa America. Refuzon të marrë medaljen e vendit të tretë dhe pezullohet për 3 muaj nga kombëtarja, si dhe gjobitet me 50 mijë dollarë.

Korrik 2021: Messi fiton më në fund Copa America, trofeun e parë të madh me kombëtaren. Foto e tij me trofeun bëhet më e pëlqyera në Instagram në atë kohë.

Gusht 2021: Ronaldo kthehet te Manchester United dhe e mbyll sezonin si golashënuesi më i mirë i klubit. Marrëdhënia me skuadrën praktikisht merr fund pas intervistës së nëntorit 2022, ku lëshon disa akuza kundër drejtuesve.

Gusht 2021: Messi nënshkruan për dy vite e gjysmë me Paris SG, duke mbyllur historinë e gjatë me Barcelonën.

Shtator 2021: Ronaldo thyen rekordin e golave të realizuar nga një futbollist në skuadrat kombëtare, duke shënuar 117 në 191 ndeshje me Portugalinë.

Shkurt 2022: Ronaldo bëhet njeriu i parë që arrin të ketë 400 milionë ndjekës në Instagram. Nga dje, arriti 500 milionë ndjekës.

Shtator 2022: Messi luan ndeshjen e 164-t me Argjentinën dhe shënon golin e 90-të, duke u ngjitur i treti në renditjen e lojtarëve me më shumë gola në skuadrën kombëtare.

Nëntor 2022: Ronaldo dhe Messi synojnë të fitojnë Botërorin, pas 4 përpjekjeve të dështuara.

Nëse Ronaldo shënon gol në Katar, do të jetë i pari që realizon në 5 Botërorë të ndryshëm. I duhen 3 gola për të kaluar legjendën Eusebio dhe për t’u bërë golashënuesi më i mirë i Portugalisë në këtë kompeticion.

Nëse luan në Katar, Messi do të futet në një “klub elitar” të futbollistëve që kanë marrë pjesë në 5 Botërorë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë