Ndryshon votimi në Eurovision. Jo më juri profesioniste në gjysmëfinale, votim nga e gjithë bota

Publikuar më: 22/11/2022, ora 17:04
EUROVIZION NDRYSHON VOTIMI frame 791 1280x720

Ndryshon votimi në Eurovision. Jo më juri profesioniste në gjysmëfinale, votim nga e gjithë bota

Publikuar më: 22/11/2022, ora 17:04

Festivali europian i këngës që do të mbahet vitin tjetër në Britaninë e Madhe, do të ketë ndryshime të rëndësishme në mekanizmin e votimit. Organizatorët e Eurovizion njoftuan se juria profesionale nuk do të votojë më në gjysmëfinale, çka nënkupton se do të jenë vetëm teleshikuesit që do të zgjedhin ata që do të kualifikohen për në finale e madhe.

Me një sistem të tillë votimi, Shqipëria dhe Qipro do të ishin kualifikuar në vend të Zvicrës dhe Azerbajxhanit në Eurovizionin e vitit 2022. Gjithashtu, teleshikuesit e vendeve që nuk marrin pjesë në garë nga e gjithë bota, do të lejohen të japin votat e tyre për herë të parë, dhe do të kenë të njëjtën peshë si shtetet garuese në përcaktimin e fituesit.

Një lëvizje e tillë vjen pasi u zbulua se 6 juri kishin shkëmbyer votat e tyre në festivalin e këtij viti të zhvilluar në Torino të Italisë. Modelet e votimit të parregullt u evidentuan në Azerbajxhan, Gjeorgji, Mal të Zi, Poloni dhe San Marino, siç bëri të ditur EBU, aleanca e rrjeteve televizive europiane që organizon konkursin.

Votat e jurive në fjalë u anuluan dhe u zëvendësuan me një vlerësim të përgjithshëm të përllogaritur nga rezultatet e vendeve të tjera me të dhëna të ngjashme votimi. Në fund, fitues u shpall grupi ukrainas Kalush Orkestra, me britanikun Sam Ryder që u rendit i dyti.

Juritë profesionale që përbëhen nga kantautorë profesionistë dhe personazhe të industrisë së muzikës kanë ekzistuar që prej të paktën Eurovizionit të dytë në vitin 1957. Sipas sistemit aktual pikët e tyre bashkohen me rezultatet e votës së publikut për të përcaktuar fituesin.

Një praktikë e tillë do të vijojë te jetë e vlefshme në finale, por jo përgjatë netëve kualifikuese në gjysmëfinale. 37 vende do të marrin pjesë në Eurovizionin e vitit të ardhshëm, me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut që kanë njoftuar tërheqjen për shkak të kostove të pjesëmarrjes.