Kriza energjetike, Bejtja: Situata nën kontroll, ka nisur eksporti

Publikuar më: 23/11/2022, ora 21:24

Kriza energjetike, Bejtja: Situata nën kontroll, ka nisur eksporti

Publikuar më: 23/11/2022, ora 21:24

Prej ditësh vijojnë reshjet e dendura dhe të pandërprera në të gjithë vendin, duke krijuar një situatë përmbytjesh në disa zona dhe jo vetëm. Për shkak të reshjeve, edhe KESH është detyruar të bëjë shkarkime të ujit, ndërsa prodhimi i energjisë ka arritur nivelet maksimale, duke mundësuar jo vetëm plotësimin e nevojave të vendit me energji, por edhe eksport dhe krijim të rezervës energjetike. Situata ka ndryshuar tërësisht, teksa vetëm pak ditë më parë flisnim për krizë energjetike.

Si po bëhet menaxhimi i kaskadës? A do të thotë kjo situatë se po dalim nga kriza energjetike? A pritet që të fitohen para nga shitja e energjisë për të kompensuar shumat e mëdha që janë shpenzuar për import? Për këtë çështje u diskutua këtë të mërkurë në A2 Business, ku i ftuar ishte edhe Ilir Bejtja, zëvendësministër i Energjetikës.

Bejtja bëri një përmbledhje të situatës në kaskada pas reshjeve të shumta të ditëve të fundit. “Situata është nënkontroll në kuptimin e sigurisë së kaskadës. Vijojmë kontrollet e shpeshta, 3-4 herë në ditë, në varësi të reshjeve. Tani situata është më e qetë. Planifikimi është më i sigurt i prurjeve, nuk janë më të larta në Koman dhe në Vaun e Dejës. Aktualisht Fierza nuk është në punë, vetëm 2 turbina përdoren në orët e pikut. Fierza grumbullon ujërat e mundshme që t’i kemi në të ardhmen. Ndihmojnë edhe HEC-et private, të cilat janë në maksimum gjatë këtyre ditëve”.

Më tej, ai u shpreh se që prej ditës së diel ka nisur eksporti i energjisë. “Që prej ditës së diel ka nisur eksporti. Kemi shitur edhe përpara në mënyrë sporadike. Shitjet janë bërë me rreth 230 euro në oraret e pikut dhe rreth 130 euro në bandë”, tha zëvendësministri.

Ndërkohë, Azmer Duleviç, ekspert për energjinë, u shpreh se situata është përmirësuar jo për arsye të mirëmenaxhimit, por për shkak të motit me reshje.

“Situata është e mirë, por unë mendoj se nuk ka ardhur si pasojë e menaxhimit të mirë, por si pasojë e kushteve të favorshme atmosferike, pasi prurjet janë në kuota normale. Mua më rezulton se energjia po shitet me 82.3 euro, shumë i ulët me energjinë që ne kemi siguruar”, tha Duleviç.