Për çfarë ka më shumë nevojë Tirana? Alimehmeti: Nuk po shohim më njeri të qeshur në rrugë

Publikuar më: 23/11/2022, ora 15:19

Për çfarë ka më shumë nevojë Tirana? Alimehmeti: Nuk po shohim më njeri të qeshur në rrugë

Publikuar më: 23/11/2022, ora 15:19

Ilir Alimehmeti thotë që nëse do të jetë ai kandidati i opozitës për të marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës, objektivi i tij kryesor do të jetë puna për qytetin, jo për karrierën e tij politike. “Si qytetar i Tiranës e kam gjetur gjithmonë veten të shkelur nga ky drejtim. Ka ndodhur që ata që drejtojnë bahskiunë kanë punuar për të ngjitur shkallët politike”, tha Alimehmeti në Ditarin e A2 CNN.

Alimehmeti shtoi se Tirana ka së pari nevojë për ndershmëri. “Të mos vidhet më e të mos abuzohet më. Kjo është pika kyçe dhe baza e gjithçkaje. Pastaj, nën këtë, ka edhe kauza që i kemi të gjithë bashkë, si urbanistika. Tirana është një nga bashkitë më të taksuara, ka edhe taksa që nuk ekzistojnë në asnjë bashki tjetër. Dhe në fund fare, fëmijët tanë e bëjnë shkollën pasdite.

Provoni të merrni një informacion në bashki, nuk ua japin. Edhe komisioneri po ta kërkojë, prapë nuk ua japin. Paguajnë dhe gjobën, me paratë tona. Edhe me urdhër gjykate, nuk ua japin”, shtoi ai.

Problemi kryesor për të është mungesa e infrastrukturës për t’i ardhur në ndihmë familjeve. “Në rrethina nuk kanë çerdhe dhe shkojnë në zona të tjera për të çuar fëmijët. Do flasim për ambiente rekreative. Sa hapësira kanë fëmijët tanë për të luajtur e për të qeshur? Nuk ka më njeri të qeshur në rrugë. Kjo është çmenduri”.