Takohen sot në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë

Publikuar më: 23/11/2022, ora 07:42
negociatoret 1280x720

Takohen sot në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë

Publikuar më: 23/11/2022, ora 07:42

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen sot në Bruksel me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, për të diskutuar zgjidhjen për çështjen e targave ilegale serbe.

Burime të Radios, Evropa e Lirë, kanë thënë se palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, që është konsideruar urgjent. Takimi do të zhvillohet vetëm dy ditë pas takimit që rezultoi pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me çështjen e targave. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës. Ai ka thënë të martën se ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është shumë i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e targave ilegale serbe.

“Shtetet e Bashkuara i duan edhe 48 orë që përafrimi i djeshëm të mund të shndërrohet në dakordim sot ose nesër. Po i bëjmë përpjekjet maksimale. Unë nuk mendoj që jemi në orët kur duhet të flasim për shtyrje të reja, duhet të flasim për intensitet maksimal, në mënyrë që brenda 48 orëve ta kemi marrëveshjen siç e synuam në Bruksel, duke mos u kufizuar në çështjet siç është puna e targave”.

Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, deklaroi një ditë më parë se e ka kërkuar këtë shtyrje për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje

Kurti ka thënë se prej takimit 8-orësh të 21 nëntorit, ai nuk ka qenë në kontakt me zyrtarët evropianë lidhur me çështjen e targave. “Me keqardhje ritheksoj se (kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell) braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e Bashkimit Evropian duke thënë “le ta kemi një darkordim për targat. Nuk mjafton dakordimi për targat”, ka thënë mes të tjerash Kurti.

Sipas tij, korrigjimi i gabimit të Borrellit është i domosdoshëm. “Është gabim i madh që të braktiset biseda për normalizim të marrëdhënieve dhe liderët, presidenti i Serbisë, dhe unë si kryeministër i Kosovës, të flasim e të dakordohemi veçse për targat, për të cilat, me dorën në zemër, as ai në Serbi, as unë në Kosovë, nuk jemi personat më kompetentë”.

Më 21 nëntor, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se është i pavërtetë çfarëdo pretendimi se Bashkimi Evropian është duke hequr dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas tij, mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, deklaroi pas takimit se pala serbe do t’i respektojë “këshillat dhe kërkesat” e kryediplomatit evropian, Borrell, i cili ndërmjetësoi bisedimet. Shqiptimi i gjobës është pjesë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Faza e parë parashihte qortimin, e dyta parasheh shqiptimin e gjobës dhe më vonë parashihet të vendosen disa targa provuese. Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit, në Kosovë nuk duhet të ketë më makina me targa të tilla që lëshojnë autoritetet serbe.

Serbia, e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës. Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës, ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme, kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi.”

Ndërkohë një ditë më parë, Italia mori drejtimin e dialogut Kosovë- Serbi, duke i porositur që të mos përshkallëzojnë deri në luftë tensionet për targat. Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, dhe ai i Mbrojtjes, Guido Crosetto, vizituan Beogradin dhe Prishtinën, duke ftuar liderët e dyja vendeve për një takim në Romë.