“Elephant Express”, një përvojë unike safari me tren

Publikuar më: 24/11/2022, ora 16:03

“Elephant Express”, një përvojë unike safari me tren

Publikuar më: 24/11/2022, ora 16:03

Një tren ku mund të ulen deri në 22 persona, “Elephant Express”, ofron një përvojë krejtësisht unike safari. Në vend që të kërkojnë për kafshët e egra me një 4×4 ose në këmbë, pasagjerët e këtij treni mund të shijojnë në qetësi të gjitha bukuritë e natyrës.  

Gjatë udhëtimit afërsisht 80 km, treni ndalon disa herë, në mënyrë që vizitorët të shikojnë elefantët, tufat e antilopave, gjirafat që kullosin, zebrat dhe gazelat. Veç tyre, gjatë gjithë kohës, turistët admirojnë fluturimin e mijëra specieve të rralla shpendësh.

Kur Mark Butcher, menaxheri i “Imvelo Safari Lodges”, mendoi për herë të parë në vitet 1980 idenë e një treni turistik, u angazhua për vite të tëra për ta realizuar atë. Vizioni i tij nuk ishte vetëm t’u ofronte njerëzve eksperiencën e madhështisë së jetës së egër, por synonte të nxirrte në pah rëndësinë e turizmit në Afrikë.

Hekurudhat kanë qenë pjesë e historisë së parkut në Zimbabve që nga themelimi i tij. U ndërtuan fillimisht për të lidhur zonat e minierave dhe ato bujqësore me portet bregdetare në Mozambikun fqinj dhe Afrikën e Jugut. Kur “Elephant Express” filloi në 2015 duke transportuar njerëz nga shtëpizat drejt parkut, Butcher e dinte se kjo do t’u ofronte vizitorëve një përvojë unike. 

Udhërrëfyesit e safarit, gjatë udhëtimit, u tregojnë turistëve, herë pas here, disa vende simbolike si p.sh. “Pema e Cecilit”, ku tregohet historia e vrasjes tragjike dhe të paligjshme të një prej luanëve të preferuar të zonës. Në këtë mënyrë, synohet që përveç turizmit të vihet në qendër të vëmendjes edhe çështja e gjuetisë së paligjshme dhe rrezikut të zhdukjes së kafshëve të egra.