Energjia në 3-mujorin e tretë: Sipërmarrjet ulën konsumin, familjarët e mbajtën të pandryshuar

Publikuar më: 24/11/2022, ora 13:05

Energjia në 3-mujorin e tretë: Sipërmarrjet ulën konsumin, familjarët e mbajtën të pandryshuar

Publikuar më: 24/11/2022, ora 13:05

Shtrenjtimi i energjisë në tregun e lirë që detyroi disa nga fabrikat më të mëdha në vend të pezullonin aktivitetin, bëri që këto të fundit të harxhonin më pak energji në 3-mujorin korrik-gusht -shtator.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në 3-mujorin e tretë të vitit, konsumi i energjisë nga bizneset ra në rreth 818 gigavat/orë nga më shumë se 983 gigavat/orë një vit më parë duke shënuar kështu një ulje me mbi 16 për qind. Ndërkohë, mos-ndryshimi i çmimit për familjarët duket se ka ndikuar në mbajtjen në të njëjtat nivele si të një viti më parë të konsumit të energjisë.

Kursimi nga sipërmarrja e mbajtja në të njëjtat nivele nga familjarët ka bërë që konsumi i përgjithshëm i energjisë elektrike në muajt korrik, kusht e shtator të bjerë nga 1 mijë e 679 gigavat/orë në 1 mijë e 514 gigavat/orë, duke shënuar kështu rënie me 9.8 për qind.

Me gjithë thatësinë nëpër këmbë, prodhimi i energjisë elektrike në vend mbeti në nivele të ngjashme me një vit më parë, në 1 mijë e 370 gigavat/orë nga 1 mijë e 371 gigavat orë që ishte në 2021-shin. Pjesa më e madhe e energjisë, gati 3/4 u prodhua nga hidrocentralet publike, 23.7 për qind nga ato private dhe vetëm 21.5 për qind nga panelet fotovoltaike.

Me gjithë prodhimin në thuajse të njëjtat nivele, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bleu mbi 1 mijë e 141 gigavat/orë energji, 17.1 për qind më mbi se në tremujorin e tretë të vitit të shkuar.

Nga ana tjetër, në po të njëjtin hark kohor, prodhuesit e energjisë elektrike, kryesisht hidrocentralet private rezulton të ketë shitur mbi 670 gigavat/orë, nga rreth 323 një vit më parë duke shënuar kështu rritje me 210 për qind.

Nisur nga fitimet e konsiderueshme për energjinë e kanë shitur jashtë, prej vitit të ardhshëm, shteti duket se do të bëhet aksioner i barabartë me prodhuesit privatë, në fitimet shtesë që ata kanë kryer gjatë këtij viti.