Investimi në letra me vlerë, nesër 8 miliardë lekë në ankandin e Bankës së Shqipërisë

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2022, 13:59 | Ekonomi

Shqiptarët që janë joshur nga thirrja e qeverisë për të investuar në letra me vlerë kanë ditën e premte një mundësi të mirë për të përfituar nga interesat e larta. Banka e Shqipërisë do të organizojë dy ankande. Tek i pari do të kërkojë 1 miliard lekë në bono 6-mujore, ndërsa tek i dyti për 7 miliardë lekë në bono 12-mujore. Në total janë 8 miliardë lekë që do të kërkohen, ku interesat sipas rezultateve të mëparshme shkojnë nga 4.57% për instrumentin 6-mujor, deri në 5.83% për atë 1-vjeçar.

Shuma minimale për të marrë pjesë në ankand është 300 mijë lekë dhe mund të kryhet përmes disa bankave tregtare, apo në sportelet e Bankës së Shqipërisë në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Lushnjë dhe Gjirokastër.

Përfitimi nga bonot 12-mujore, sipas një shembulli të Bankës së Shqipërisë, për një vlerë investimi prej 10 milionë lekësh me normë interesi 5%, do të ishte rreth 475 mijë lekë. Nga ky fitim, qytetari taksohet me 15% apo 71,200 lekë, për një fitim neto pas një viti prej 403 mijë lekësh.

Qeveria e ka pranuar se nga thirrja drejtuar qytetarëve për të investuar kërkon të arrijë interesa më të ulëta për borxhin, ndërsa për individët është përfitimi i një kthimi investimi më të lartë se çfarë ofrojnë sot bankat për depozitat e tyre.

https://a2news.com/2022/11/15/rama-koha-e-duhur-per-investime-ne-bonot-e-thesarit-dhe-obligacionet/

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli