Kurti për targat: Është dakordim, jo marrëveshje. Dokumenti i djeshëm nuk u ofrua të hënën

Publikuar më: 24/11/2022, ora 13:06
SINK KURTI SERBET frame 760 1280x720

Kurti për targat: Është dakordim, jo marrëveshje. Dokumenti i djeshëm nuk u ofrua të hënën

Publikuar më: 24/11/2022, ora 13:06

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se marrëveshja e mbrëmshme për targat, është arritje e madhe sepse për herë të parë procesi i dialogut hyn në fazë të negocimit mbi kornizën e përgjithshme. Edhe  pse e ka quajtur dakordim, Kurti theksoi se dokumenti i mbrëmshëm dallon me atë se çfarë i është ofruar të hënën atij në Bruksel. Në fjalimin e tij në seancë plenare, ka deklaruar se ka ndryshuar deklarata e Borrelit, e jo qëndrimet e Kosovës. Sipas shefit të ekzekutivit, marrëveshja për targat është e vlefshme deri në përfundimin e negocimit të dokumentit franko-gjerman. Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti ka deklaruar se qëllimi ishte që drafti franko-gjerman të bëhet pjesë e bisedimeve në Bruksel.

“Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman për normalizim përmes një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërkombëtare të bëhet çështja e bisedimeve në Bruksel, drejt arritjes së një dakordimi, i cili shtetit tonë që është normal e demokrat ia bashkëngjit edhe një raport normal e evropian me Serbinë. Ishte e qartë nga vet deklarata e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë për siguri dhe politikë të jashtme, Borrel që një gjë e tillë nuk ishte përfshirë në diskutimet e ditës së hënë. Tash ajo figuron saktësisht dhe me një status të qartë në paragrafin e parë. Nuk ka qenë në ditën e hënë në tekstin, i cili më është ofruar mua në fund”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka shtuar se marrëveshja e mbrëmshme për targat është arritje e madhe për Kosovën.

“Besoj që kjo është një arritje e madhe, sepse për herë të parë procesi i dialogut hyn në një fazë të negocimit mbi kornizën e përgjithshme që do të jetë ligjërisht e obligueshme e që do të zgjidh problemet fondamentale nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Kurti theksoi se dokumenti që i është ofruar të hënën në Bruksel, dallon nga teksti i mbrëmshëm.

“Të hënën në mbrëmje mua më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët, i cili ka pasur 95 fjalë. Dhe fjalët Francë e Gjermani nuk kanë qenë askund. Dhe nuk i referohet propozimit franko-gjerman apo të Bashkimit Evropian, siç po themi tani, përveç çështjes së targave tek çështja e këtij propozimi. Nuk thuhet propozimi, por thuhet do të zgjidhet çështja e targave sipas atij propozimi pa thënë franko-gjerman, 95 fjalë. Ndërkaq, kjo që është dakorduar mbrëmë i ka 194 fjalë është më shumë se dyfishi i tekstit. Janë krejtësisht të ndryshme, ata që thonë që ajo çfarë nuk është pranuar të hënën është pranuar të mërkurën, nuk e dinë se për çka po flasin”, ka theksuar shefi i ekzekutivit në seancë plenare.

Kurti ka insistuar se mbrëmë në Bruksel nuk është arritur marrëveshje, por dakordim për çështjen e targave.

“Nuk është marrëveshje, është një dakordim, por nuk është marrëveshje. A e dini pse nuk është marrëveshje? Shikoni se çfarë thotë në titull, është deklaratë e Borrelit. Ajo çfarë është bërë mbrëmë, është ndryshuar deklarata e Borrelit. Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borreli ka ndryshuar deklaratë. Dhe kjo është shumë mirë. Marrëveshja e mbrëmshme, nuk është marrëveshje për targat. Ne u morëm vesh që të ndalojmë veprimet në mënyrë reciproke, pra nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM dhe do t’i japim hapësirë negocimit të propozimit evropian që më herët quhej franko-gjerman”, ka theksuar ai.

Në seancë plenare, Kurti ka deklaruar dakordimi i mbrëmshëm skadon kur të arrihet negocimi i dokumentit franko-gjerman.

“Tjetra është që pjesa e targave në marrëveshjen e mbrëmshme nënkupton që Qeveria nuk lëshon dhe regjistron targa të reja. Ajo është e qartë në tekst dhe gradualisht targat e paligjshme do të nxjerin nga përdorimi sipas një mekanizmi të tillë. Ne arritëm të zbatojmë parimin e reciprocitetit në atë seksion të marrëveshjes që u bë deklaratë e Borrelit, por theksojmë që ajo është e vlefshme deri në përfundimin e negocimit të dokumentit franko-gjerman, kur të kryhet ky negocim atëherë skadon edhe afati i këtij dakordimi”, tha Kurti.

Ndërsa ka folur për draftin franko-gjerman, shefi i ekzekutivit ka treguar se në takimin në Paris, i është kërkuar që ky propozim të quhet evropian.

“Me datën 11 nëntor kur e kam takuar në Paris, zotëri Borrel dhe Lajçak me ekipin tim të këshilltarëve kur isha atje, unë kur thash propozimi franko-gjerman, ai reagoi bukër ashpër dhe tha ky është propozim evropian. Unë thash në rregull, i kërkova falje, tash e tutje thash do ta quajmë evropian me mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë. Mirëpo, unë të hënën e pash se në fakt është franko-gjerman se po të ishte propozimi i BE-së, ai nuk do ta braktiste kaq kollaj. Mua të hënën mu vërtetua që në fakt është franko-gjerman. Mirëpo, meqë insistohet të quhet i Bashkimit Evropian, nuk kam problem me atë punë”, ka shtuar Kurti.