Marrëveshja për targat, Fejza: Fitore për Kosovën

Publikuar më: 24/11/2022, ora 20:22

Marrëveshja për targat, Fejza: Fitore për Kosovën

Publikuar më: 24/11/2022, ora 20:22

Në skadim të afatit 48 orësh, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për targat pak para mesnatës së djeshme në Bruksel, marrëveshje kjo që shmangu tensionet. Beogradi do të ndërpresë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Prishtina do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.

Marrëveshja që nuk u arrit dot të hënën mes kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiç u firmos nga kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç. BE dhe SHBA e përshëndetën këtë zhvillim, ndërsa Borell i ftoi palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm, mbi propozimin e paraqitur në muajin shtator nga ndërmjetësuesi i BE-së dhe të mbështetur nga Franca dhe Gjermania, i njohur si plani franko-gjerman.

Për këtë çështje u diskutua këtë të enjte në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN. Arjeta Fejza, deputete e Vetëvendosjes e quajti fitore për Kosovën këtë marrëveshje.

“Marrëveshjen e arritur në Bruksel ne e konsiderojmë që është një fitore për ne. Mbrëmë u ra dakord që të dy palët të ndalojnë veprimet reciproke, nuk do të ketë gjobitje për targat KM, nuk do të prodhohen më targat KM dhe do t’i jepet hapësirë propozimit franko-gjerman. Këtë propozim, ne e konsiderojmë një bazë të rëndësishme për atë që ne synojmë, fokusi i dialogut, njohja reciproke në qendër, për të cilën ne besojmë se është thelbi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Por pse kjo marrëveshje nuk u arrit gjatë takimit mes Kurtit dhe Vuçiç? “Ka shumë ndryshime dhe ato janë mjaft të rëndësishme. Qëllimi që kishim ne ishte që propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve të bëhej me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërkombëtare. Kurti e përmendi se në dialogimin 8 orësh të hënën, një gjë e tillë nuk është përmendur. Në dakordimin e mërkurës, BE ka thënë se do të sigurojë që normalizimi i marrëdhënieve do të fokusohen te propozimi franko-gjerman”, tha deputetja e VV.