Ngrohja me dru zjarri, Korça dhe Pogradeci me ajrin më të ndotur gjatë dimrit

Publikuar më: 24/11/2022, ora 13:31

Ngrohja me dru zjarri, Korça dhe Pogradeci me ajrin më të ndotur gjatë dimrit

Publikuar më: 24/11/2022, ora 13:31

Ngrohja me dru është alternativa më e përdorur dhe njëkohësisht më efikase në juglindje të vendit gjatë stinës së dimrit. Temperaturat disa gradë nën zero mund të përballohen vetëm nga ngrohja me zjarr, si në banesa ashtu edhe në institucionet publike si edhe, kopshte dhe shkolla.

Por ngrohja masive me dru zjarri sjell edhe problemin e ndotjes së ajrit disa herë mbi normat e lejuara. Në Korçë dhe Pogradec, ndotja e ajrit gjatë stinës së dimrit tejkalon 2-3 herë normat jo vetëm të BE-së, por edhe të institucioneve shqiptare.

Edhe pse nuk kryhen matje te rregullta as nga bashkitë dhe as nga institucionet qendrore që monitorojnë cilësinë e ajrit edhe ato pak matje të fragmentuara të kryera në bashkëpunim me institucione të pavarura, e nxjerrin nivelin e monoksidit të karbonit në ajër disa herë me të lartë se norma e lejuar.

“Nga disa monitorime që janë kryer, monoksidi i karbonit për vlerat tetë orare në qytetin e Korçës arrijnë në 12 mikrogramë për metër kub. Kjo është 2-3 herë më e lartë nga norma e lejuar nga Bashkimi Evropian apo nga normat shqiptare të cilësisë së ajrit për këtë element ndotës”, thotë Kristi Bashmili.

Për ekspertin e mjedisit, institucionet shtetërore lokale dhe qendrore në zbatim edhe të ligjit për eficencën e energjisë duhet të marrë masat e nevojshme për të minimizuar emetimet në ajër, duke nisur me rritjen e performancës energjetike të banesave kolektive

“Tashmë është detyrim ligjor edhe për ndërtesat e vjetra që të fillohen hapa për t’i termoizoluar ato. Gjithashtu, në sajë të ndotjes së madhe, duke e ditur burimin e ndotjes që vjen si pasojë e djegies së drurit të zjarrit për ngrohjen e banesave, është një detyrim që lind edhe nga ligje të tjera të mbrojtjes së cilësisë së ajrit dhe hartimi i një plan-veprimi që më pas çon në masa për reduktimin e saj.”

Derisa institucionet të ndërmarrin hapat e nevojshme, eksperti i mjedisit ka disa këshilla për qytetarët dhe institucionet publike që e realizojnë ngrohjen me dru zjarri. “Në duhet të djegim dru të pastër, jo dru i cili vjen si mbetje i bizneseve të cilat e përpunojnë drurin pasi ai ka edhe substanca të tjera që është akoma më ndotës. Dhe, gjithashtu është shumë e rëndësishme që të ventilohen ambientet e brendshme, sidomos ambientet e shkollave,” shpjegon ai.

Nëse qytetarët të parët do të jenë më të interesuar për cilësinë e ajrit, atëherë edhe institucionet do të jenë më të përgjegjshme në kryerjen e detyrës së tyre.