“Nuk bazohet në rregullat e BE”, Parlamenti Europian rezerva të forta për Ballkanin e Hapur

Publikuar më: 24/11/2022, ora 13:12

“Nuk bazohet në rregullat e BE”, Parlamenti Europian rezerva të forta për Ballkanin e Hapur

Publikuar më: 24/11/2022, ora 13:12

Parlamenti Europian godet rëndë nismën Open Balkan. Ligjvënësit kanë miratuar një rezolutë për strategjinë e re të zgjerimit të Bashkimit Europian me këshilla dhe rekomandime për qasjen ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke vënë në pah nevojën për gjithëpërfshirje në projektet ekonomike, raporte me fqinjësi të mirë dhe përshtatje e harmonizim me ligjet dhe rregullat e Unionit.

“Shprehim rezerva të forta për çdo iniciativë rajonale të bashkëpunimit ekonomik që nuk përfshinë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe që nuk është e bazuar në rregullat e BE-së, siç është nisma Open Balkan.”

Autori i rezolutës, europarlamentari nga Kroacia, Tonino Picula, theksoi se nëse BE dëshiron që të jetë një lojtar i rëndësishëm në gjeopolitikë, duhet të mbetet një projekt i hapur. Ai përmendi dhe fundin e 2030-ës si afatin e fundit për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bllokun Europian.

“Ne duam një proces zgjerimi transparent dhe të përshpejtuar për ata që e meritojnë dhe heqjen e fondeve për ato regjime që nuk mbështesin vlerat e BE-së.”

Mes rekomandimeve kryesore është dhe ndryshimi i metodës së votimit për çështjet e zgjerimit, duke kaluar nga unanimiteti në votim mazhorance, si dhe caktimin e një kryenegociatori nga BE për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, në rezolutën e miratuar, thuhet se çdo avancim I Serbisë drejt aderimit në bllokun europian duhet të lidhet me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë.