SHBA mirëpret marrëveshjen Kosovë-Serbi për targat: Një hap gjigant

Publikuar më: 24/11/2022, ora 07:33
ned price 1280x720

SHBA mirëpret marrëveshjen Kosovë-Serbi për targat: Një hap gjigant

Publikuar më: 24/11/2022, ora 07:33

Shtetet e Bashkuara mirëpritën marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lidhur me targat, duke e cilësuar atë një hap gjigant përpara drejt qëndrueshmërisë në të gjithë rajonin.

Zëdhënësi i DASH, Ned Price, ka përgëzuar të dy vendet, ndërsa u ka bërë thirrje, që të përqendrohen plotësisht në normalizimin e marrëdhënieve, nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Vendimi i palëve për të vënë interesat e të gjithë qytetarëve të tyre në krye të vendimmarrjes dhe që të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Të dyja palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe qëndrueshmërisë në të gjithë rajonin”, thuhet në deklaratën e DASH.

Shtetet e Bashkuara inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve, thuhet më tej në deklaratë.

Edhe këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, tha se bisedoi me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

“E falënderova për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge përpara për uljen e tensioneve dhe angazhimin për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të cilin SHBA-ja e mbështet fuqishëm”, shkroi ai në rrjetin Twitter.

Kosova dhe Serbia arritën të mërkurën në mbrëmje një marrëveshje lidhur me çështjen e targave të makinave që përdoren nga qytetarët serbë në veriun e Kosovës.